Zgjedhjet e 6 Marsit, Damian Gjiknuri takim me strukturat e Partisë Socialiste në Rrogozhinë

01/03/2022 12:18

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga deputeti Etjen Xhafaj dhe kandidati për Bashkinë e Rrogozhinës, Edison Memolla, kanë zhvilluar një takim me strukturat e PS-së.

Në fjalën e tij numri dy i Partisë Socialiste u bëri thirrje qytetarëve të Rrogozhinës të votojnë Edison Memollën në mënyrë që, me mbështetjen e qeverisë, të bëhet zëri i tyre dhe të çojë përpara projektet e nisura në Rrogozhinë.

“Ju duhet të jeni krenar se mbi të gjitha keni një djalë tuajin, djalë socialist, atë që keni dashur, nga një familje që ka qenë shtyllë e Partisë Socialiste. Kjo duhet t’iu bëjë shumë krenar dhe t’iu motivojë dy herë më shumë. Jam i bindur që do jeni krenar me këtë djalë tuajin, që u provua edhe këto kohë. Nuk ishte i zgjedhur, ishte i caktuar, sepse ashtu erdhën rrethanat, por tani jepini zemër këtij njeriu, jepini kurajo me sa më shumë vota, që ky të ketë moral, por edhe të ndjehet i obliguar. Nuk është çështja ta çojmë në zyrë; nuk duam thjesht të çojmë Edin në zyrë si Parti Socialiste, por Edi duhet të jetë njeriu që do t’iu përgjigjet, por ju duhet ta respektoni me votë që edhe këtij ti ngrihet zëri, të nderohet dhe të thotë që vërtet unë jam i votuar nga Rrogozhina”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal edhe tek kandidatët e opozitës ku theksoi se kundërshtarët po garojnë për vendin e dytë dhe të tretë dhe ftoi edhe demokratët që më 6 mars të votojnë Edison Memollën, sepse përçarësit e PD-së nuk meritojnë të marrin asnjë votë.

“Qytetarët shpesh thonë:hë se kjo punë është e mbaruar, se ata dy po zihen kush do zërë vendin e dytë apo vendin e tretë. Por ne nuk e duam djalin tonë ‘aksident’, ne e duam me votën popullore të Rrogozhinës. Këtë duhet t’ja thoni çdo socialisti. Shkoni trokitini edhe atij që është demokrat: O vlla nga këta tre që janë, kush duket më i miri?

Unë e kam një mesazh edhe për demokratët: Edhe t’i që do Partinë Demokratike, a do ta bashkosh PD-në? Voto Edin, që ta kuptojnë ato dy, dy përçarësit, se nuk kanë asnjë votë. Ne duhet ti japim shumicën Edisonit pavarësisht nga ‘brava’, ‘anti-brava’ që kanë dalë me garën e tyre. Nuk kemi punë me ata ne. Ne duam që ky të marrë 50+1 përqind të votave më shumë sesa ata të dy bashkë. Këtë kërkoj nga ju. Prandaj Edi jo vetëm do të marrë moral dhe dinjitet nga vota juaj masive, por edhe deputeti juaj do ndjehet vërtet krenar”, u shpreh numri dy i PS-së.

Deputeti i Rrogozhinës, Etjen Xhafaj, theksoi se këto zgjedhje janë zgjedhje mes ‘dy botësh’, nga njëra anë Partia Socialiste me një kandidat që do të përfaqësojë qytetarët duke u dhënë zgjidhje problematikave të tyre dhe nga ana tjetër kandidatët e opozitës të ndarë më dysh prej “bravës” dhe “vulëhumburit”.

“Zgjedhjet dhe këtë herë janë zgjedhje mes ‘dy botësh’, është ajo bota e derës së hapur e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e Edi Ramës, e këtij vizioni për të vazhduar drejt të ardhmes drejt zhvillimit duke fuqizuar njëri-tjetrin dhe duke mundësuar potencialin e zhvillimit për fëmijët tanë; është edhe ajo bota tjetër e ndarë më dysh mes ‘bravës’ dhe ‘vulëhumburit’. Ky është debati mes tyre, debati kush do të dalë i dyti. Ne kemi çunin tonë! Kemi Edison Memollën që ju e njihni të gjithë; është një kryetar që ka ecur dhe vazhdon të ecë në të gjitha rrugët e Rrogozhinës dhe të katër Njësive Administrative për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të njerëzve, për të qenë bashkë me ta dhe për t’iu treguar djemve të Rrogozhinës, që si ai kanë punuar jashtë, që të ktheheni dhe ti bëjmë gjërat më mirë të gjithë bashkë. Votoni më 6 mars numrin 2, kandidatin e Edi Ramës, kandidatin e Partisë Socialiste, Edison Memollën”, përfundoi Xhafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA