SHBA kërkon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

01/03/2022 16:52

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë fjalimit para këshillit këtë të martë, Blinken tha se Rusia nuk duhet të qëndrojë në organizatë, pasi po kryen abuzime të tmerrshme ndaj Ukrainës dhe po shkakton vuajte masive.

Me të drejtë mund të pyetet nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së, ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare, a duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill”, tha Blinken.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku një prej tyre është Rusia.

Ndër të tjera, Blinken ka kritikuar vende si Kina, të cilat nuk e kanë deklaruar qartë se Rusia është autori i vetëm i kësaj krize.

Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë”, tha ai.

Sipas tij, kjo nuk është e paanshme dhe nuk arrin të vendosë përgjegjësinë aty ku duhet.

E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po politizon situatën”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, sekretari amerikan sfidoi UNHRC-në, duke i kërkuar që të bashkohej për të parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.

Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut që ky këshill është krijuar për të ndaluar. Nëse nuk mund të bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?”, ka pyetur Blinken.

Top Channel