Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin Sigurisë këtë të martë. Ky vendimi i ekzekutivit, sipas kryeministrit Albin Kurti vjen për shkak të nevojave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

 “Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’”, ka sqaruar shefi i ekzekutivit.

Sipas vendimit, mjetet do të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës.

Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Menjëherë pas këtij vendimi, kanë filluar zotimet për alokimin e mjeteve financiare në këtë Fond.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se pagën e muajit shkurt do ta dërgojë në Fondin e Sigurisë, njëjtë sikur edhe bashkpartiakia e tij, Albana Bytyqi, e cila është deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Vendimin e sotëm të Qeverisë e ka mbështetur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e cilëson si të duhur vendimin, marrë parasysh rrezikun me të cilin po përballet rajoni për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

“Agresioni rus në Ukrainë dhe pozicionimi i qartë i Serbisë krahas Putinit dhe Rusisë, është kërcënim serioz për sigurinë në Ballkan, veçanërisht në vendin tonë. Kjo situatë kërkon veprim të shpejtë, vendime efikase, të nevojshme e të përgjegjshme të të gjitha institucioneve të vendit. Në këtë frymë, mbështes vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e Aleancës dhe e imja”, ka shkruar Haradinaj.

Mjetet e mbledhura në këtë fond, sipas vendimit do të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes, si buxhet shtesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA