Projekt-rezoluta në mbështetje të Ukrainës/ Top Channel siguron dokumentin që PS i ka dërguar grupeve parlamentare

01/03/2022 20:40

Top Channel ka siguruar projekt-rezolutën që Partia Socialiste i ka dërguar grupeve parlamentare , ku rendit disa pika , ndër të cilat i kërkon qeverisë të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të Ukrainës.

Në projekt rezolutë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë: Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Burime për Top Channel, bëjnë me dije se pritet që Partia Demokratike të bëjë disa shtesa.

Dokumenti i plotë

PROJEKT-REZOLUTË

PËR MBËSHTETJEN E SOVRANITETIT DHE TËRËSISË TERRITORIALE TË UKRAINËS
DHE MBROJTJEN E PARIMEVE TË SË DREJTËS NDËRKOMBËTARE DHE TË SIGURISË EVROPIANE

Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentat e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mos-përhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim të tyre të nënshkruar në vitin 2015;

Duke shprehur shqetësim te thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas Luftës së dytë Botërore, janë cënuar rendë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës;

Duke njohur vlerësimin e vendeve partnere për qendrimin e Shqipërisë ndaj aktit të agresionit dhe, në përgjithësi, për bashkimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese;

Duke marrë parasysh peshën e rritur të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit të luftës në Ukrainë në rajonin tonë dhe rëndësinë e një perspektive konkrete të aderimit të rajonit në BE për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Shpreh mbështetje për veprimet diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe rendi global i marrëdhënieve midis shteteve.

Shpreh mbështetje të vendosur për vendimet dhe angazhimet e Qeverisë shqiptare, ashtu si dhe të çdo faktori tjetër të brendshëm dhe të jashtëm, për të ndihmuar popullin ukrainas me cdo mjet të nevojshëm për të mbijetuar dhe për t’i bërë balli sulmit ushtarak rus.

Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Mbështet çdo përpjekje për ndalimin e përshkallëzimit të situatës dhe refuzon me vendosmëri retorikën e përshkallëzimit nga ana e Federatës Ruse.

Shpreh mbështetje për bisedimet diplomatike për ndalimin e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, duke theksuar se shkaktarët e agresionit duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

Të forcojë përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA