“Serbët në Mal të Zi, rusët në Ukrainë”. Me thirrje të tilla, tubues serbë kanë dalë në rrugët e disa qyteteve malazeze, në një marshim që synon të përcjellë mbështetje për agresionin ushtarak rus në Ukrainë.
Demonstruesit kanë dalë hapur në krah të presidentit rus Vladimir Putin, thonë mediat në Kosovë, të cilat citojnë një analist malazez, Ljubomir Filipoviç, të pohojë se serbët atje, praktikisht ëndërrojnë skenarin ukrainas edhe për Malin e Zi. “Është e qartë se duan këtë skenar, ndaj është hipokrizi të dëgjosh sot njerëz nga Beogradi dhe Europa që mbështesin fatin e Ukrainës dhe deri dje e relativizuan të njëjtin kërcënim duke mbështetur qeverinë në largim dhe URA-në”, ka shkruar ai.
“Nikshiq, sonte në Mal të Zi. ‘Serbët në Mal të Zi, rusët në Ukrainë’, vazhdon më tej. Grupet pro-ruse kanë marrë hov në këtë vend dhe vetëm pak ditë më parë, nxorën njerëzit në rrugë me moton “Bllokimi kundër tradhtisë”, duke paralizuar 17 akse rrugore në 15 qytete të vendit. Ky veprim i Frontit Demokratik u organizua për shkak të pakënaqësisë për formimin e qeverisë së pakicës.
Përfaqësuesi i koalicionit, Andrija Mandic vuri në dukje se do të mbrojnë me të gjitha mënyrat vullnetin zgjedhor. “Nuk do të lejojmë që fitoren zgjedhore t’ia falim Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviç”, deklaroi ai.
Top Channel