Erdogan “bind” Lukashenkon: Bjellorusia nuk hyn në luftë në Ukrainë

01/03/2022 12:54

Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko deklaroi se forcat e vendit të tij nuk do t’iu bashkohen trupave ruse në pushtimin e Ukrainës, duke dhënë një rreze shprese se konflikti nuk do të zgjerohet.

Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, e bëri të qartë se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë dhe as nuk do t`i bashkohet ndonjë aksioni ushtarak”. “Mund t’ia vërtetojmë këtë secilit. Për më shumë, udhëheqësia ruse nuk e ka ngritur kurrë këtë çështje me ne, përfshirjen tonë në konfliktin e armatosur. Ne nuk synojmë të marrim pjesë në këtë operacion special në Ukrainë në të ardhmen. Nuk ka nevojë”, ka qenë komenti i tij.

Pati shqetësime të mëdha të hënën se Lukashenko po përgatitej të dërgonte forca ushtarake për t’iu bashkuar sulmit në Kiev. Por të paktën momentin, kjo frikë është davaritur. Zyra e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se ai kishte diskutuar pushtimin rus në Ukrainë me liderin bjellorus. Biseda e tyre është fokusuar në masën më të madhe tek negociatat për armëpushim.

Ndonëse në bisedimet e një dite më parë mes palëve nuk u arrit një marrëveshje, negociatorët pohuan se takime të reja do të zhvillohen në ditët në vijim.

Top Channel