1 marsi shënon ardhjen zyrtarisht të stinës së pranverës, por kjo ditë e gjen malin e Dajtit në Tiranë të mbuluar nga bora, ndërsa temperaturat e ajrit të ulëta.
“Megjithëse është e martë, ne e kemi marrë pushim nga puna, për të argëtuar fëmijët në dëborë. Shkuam deri në Qafë-Priskë. Deri aty kishte borë, që po shkrinte me shpejtësi. Rruga ishte e lirë, pa qenë nevoja për zinxhirë”, thotë një qytetar.
“Marsi ka sjellë reshje në territorin shqiptar, ku në Ultësirën Perëndimore kemi pasur reshje shiu, ndërsa më zonat malore, mbi 200 metra mbi nivelin e detit, kemi pasur prezencë të reshjeve të dëborës. Në fakt në orët e pasdites dhe mbrëmjes së sotme kemi përmirësim të kushteve të motit, duke bërë që ditën e nesërme e po ashtu deri ditën e premte, të kemi mot të kthjellët dhe me kalime të pakta të vranësirave. Përsa i përket fundjavës, pritet që sërish të kemi prezencë të reshjeve në territorin shqiptar. Reshje shiu në Ultësirën Perëndimore dhe dëbora do të kthehet përsëri në zonat malore. Më të dukshme reshjet do të jenë në jug të territorit shqiptar”, shpjegon Hakil Osmani nga Meteoalb.
Përsa i përket temperaturave, muaji mars ka hyrë me temperatura shumë më të ulëta se normalja e këtij muaji, me gati 6-7 gradë më ulët. Ditën e nesërme vlerat minimale në zonat malore do të zbresin deri në -5 gradë celcius, ndërsa maksimuni do të luhatet deri në 13 gradë celsius. Fundjava sjell një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit. Minimumi do të jetë deri në -1 gradë dhe maksimumi deri në 14-15 gradë celsius.
Top Channel