BE “shkul” Ukrainën nga rrjeti energjetik rus/ Kanadaja ndërpret naftën nga Moska

01/03/2022 11:47

Konflikti në Ukrainë ka përshpejtuar vendimmarrjen me hapa marramendës në Bruksel.

Vendime që normalisht kërkonin muaj të tërë për tu miratuar, tani po marrin dritën jeshile brenda disa orësh. “Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”, deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ministrat e Energjisë së bllokut vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Europian të Energjisë Elektrike. Ukraina duhet të shkëputet nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë sa më shpejt të jetë e mundur, thanë ata.

Nga këndvështrimi i Komisioneres së BE-së për energjinë, Kadri Simson, nuk ka zgjidhje tjetër. Shoqatat e operatorëve europianë të rrjeteve dhe autoriteteve mbikëqyrëse në BE tani duhet të shqyrtojnë brenda pak ditësh sesi mund të lidhet rrjeti energjetik europian me Ukrainën, e cila e përfton pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike nga katër reaktorë bërthamorë. Në fund të fundit, bëhet fjalë për rreth 40 milionë konsumatorë të rinj.

Aktualisht, Rusia mund ta kufizojë masivisht furnizimin me energji elektrike në Ukrainë, sepse autoritetet ruse e kontrollojnë, për shembull, tensionin dhe frekuencën në rrjet, i cili daton që nga koha sovjetike. Kanadaja ndërkohë njoftoi se do të ndërpresë importet e naftës ruse. Kryeministri Justin Trudeaux tha se të ardhurat nga nafta kanë ndihmuar forcimin e pozitave të presidentit Vladimir Putin dhe oligarkëve rusë. Në ndryshim nga Europa, Kanadaja nuk ka varësi aq të madhe nga importet ruse të energjisë, dhe lëvizja e saj konsiderohet më shumë simbolike.

Shtetet e Bashkuara kanë insistuar prej kohësh që kontinenti të vjetër të shkëpusë varësinë nga energjia ruse, dhe janë ofruar ta furnizojnë Europën me gazin e tyre të lëngshëm.

 

Top Channel