BE: Rrezik real për Ballkanin Perëndimor, kriza do përhapet dhe në Moldavi e Gjeorgji!

28/02/2022 14:29

BE-ja nuk e fsheh frikën se kriza e Ukrainës mund të përhapet. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se vendet e bllokut janë të shqetësuara nga rreziku që i kanoset vendeve fqinje me Ukrainën duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë por edhe dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon“, tha Borrell. “Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, shtoi ai.

Si përgjigje ndaj krizës në Ukrainë, BE-ja për herë të parë në histori ka njoftuar se do të përdor fondet e saj për të ndihmuar ushtarakisht ukrainasit.Në këtë iniciativë të BE-së përfshihen rreth 45 milionë euro që do të shërbejnë për pajisje ushtarake. BE-ja tashmë i ka vendosur sanksione të ashpra Rusisë. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës me 24 shkurt e që nga ajo ditë janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.

Plani i BE-së për të financuar blerjen e armatimeve është i paprecedentë dhe do të përdorte miliona Euro për të ndihmuar në blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të armëve kundratank, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake për forcat e armatosura ukrainase. Plani do të ofronte edhe furnizime si karburant, veshje mbrojtëse, helmeta dhe kuti të ndihmës së shpejtë.

Top Channel