Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se po dërgojnë ndihma ushtarake shtesë në Ukrainë, duke përfshirë armë kundër tankeve dhe të mbrojtjes ajrore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu lut botës që të ndihmojë popullin e tij t’i rezistojë sulmit rus në shkallë të gjerë, duke thënë se mbrojtja e Kievit është e domosdoshme.

Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, autoritetet shpallën gjendjen e shtetrrethimit deri të hënën në mëngjes pasi forcat ruse hynë në qytet. Të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përpoq të siguronte popullin e tij se ai ndodhej në Kiev dhe u kërkoi atyre të qëndronin në vend dhe t’i rezistonin sulmit rus.

“Unë jam këtu. Ne nuk po i lëmë armët. Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse arma jonë është e vërteta dhe e vërteta është se kjo është toka jonë, vendi ynë, fëmijët tanë dhe ne do t’i mbrojmë të gjitha këto.”

Presidenti Zelensky ka bashkuar ukrainasit tha për Zërin e Amerikës ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, William Taylor.

“Ai po angazhohet dhe po reziston, duke udhëhequr vendin e tij. Njerëzit po e mbështesin atë, përfshirë udhëheqësit e opozitës, shoqërinë civile, dhe padyshim ushtrinë, e cila është krenare që po drejtohet nga ai.”

Ndërkohë, qindra protestues kundër luftës u arrestuan të shtunën në Jekaterinburg dhe qytete të tjera ruse.

Kjo tregon se presidenti rus Vladimir Putin po humb luftën në aspektin e informacionit publik, tha për Zërin e Amerikës Bill Browder nga Fushata Globale Magnitsky për Drejtësi.

“Tani, të gjitha vendet kryesore kanë vendosur sanksione ndaj Putinit dhe njerëzit në Rusi nuk janë të lumtur për këtë. Në Rusi po zhvillohen protesta. Të gjithë mbrojtësit e zotit Putin në në Perëndim, njerëzit që ai i ka paguar, po e braktisin atë. Ai është plotësisht i izoluar tani, madje edhe partneri i tij, Kina po përpiqet të distancohet prej tij.”

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi të shtunën se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës 350 milionë dollarë shtesë në ndihmë ushtarake për ta ndihmuar Kievin të mbrojë sovranitetin e tij. Ambasadori Taylor e përshëndeti masën.

“Këto janë edhe 350 milionë dollarë të tjera në jelekë antiplumb, të nevojshëm për të mbrojtur njerëzit që po luftojnë me armë kundër tankeve dhe ato të mbrojtjes ajrore, “Javelin” dhe Stingers.”

Zyrtarët e Pentagonit thonë se deri më tani, Ukraina po lufton më fort nga sa kishte parashikuar Rusia./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA