Teksa na ndan edhe një javë nga zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ishte në Rrogozhinë, ku gjatë një takimi me banorët tha se Saliu dhe Luli “e duan votën për sherr, ndërsa ne për punë”.
Ai tha se Edison Memolla është njeriu i punës, që duhet votuar nga të gjithë në 6 mars, edhe nga demokratët e zhgënjyer nga sherret e Lulit me Saliun.
“Pala tjetër thotë: Ma jepni votën, se i duhet shefit që t’i thotë Saliut se unë jam më i fortë se ty, ndaj bravën do e mbaj unë. Nuk e duan votën për punë, e duan votën për sherr. Pra, Luli e do votën si levë të godasë Saliun, që ta përzërë nga partia kur të vijë herën tjetër. Saliu e do votën si “kokëdash” ose si shkallë, që të futet në kalanë e SHQUP-it. E duan votën për hallet e tyre, e duan si kopan, që të zihen me njëri-tjetrin. Ne e duam votën për punë dhe kjo është diferenca mes nesh dhe atyre. Vota për punë, jo vota për dhunë! Vota për të na bërë bashkë, jo vota për t’u përçarë; vota që na çon përpara, jo vota që na çon mbrapa”, nënvizoi Veliaj.
Ai theksoi se dy të dërguarat e Lulzim Bashës në Rrogozhinë dhe në Vorë, Grida Duma dhe Jorida Tabaku, nuk kanë bërë asnjë punë në Tiranë. Sipas tij, kush dështon në Tiranë, nuk bën dot punë as në Rrogozhinë, as në Vorë.
“Luli ka sjellë dy nënkryetaret: Gridën në Rrogozhinë, Joridën në Vorë. S’kam asgjë personale me to, por pyetja është: Çfarë punësh keni bërë? Se po ta kishin ndritur në Tiranë, kur ishin në drejtim të qytetit, dhe vijnë në Rrogozhinë e Vorë, ti thua, hajt t’i dëgjojmë njëherë, se ndoshta, siç kanë bërë Tiranën në kohë të Lulit, do na bëjnë edhe Rrogozhinën. Por, sa kohë që asnjëra prej nënkryetareve nuk thotë dot një emër shkolle që bëri Luli në Tiranë, nuk thotë dot as një investim madhor, për sa kohë që nuk pastronin dot as plehrat e Tiranës, është e sigurt se kush dështon në Tiranë, nuk bën dot asnjë punë në Rrogozhinë apo në Vorë”, ironizoi Veliaj.
Në fund, ai ftoi të djathtët e Rrogozhinës që votën ta japin për të ecur para për punën, dhe jo për sherrin.
“Duhet të flasim edhe me ata që janë të djathtë e t’u themi: Mund ta kesh inat Edi Ramën dhe PS-në, ndaj vazhdo rri i djathtë, mos e merr teserën tonë, por votën jepja një partie që është sjellë shumë mirë me të djathtët, me të përndjekurit, edhe me ata që kanë pasur nevoja të pronës; më në fund kanë vendosur drejtësi, në një sistem të kalbur gjyqësor, i cili sot nuk është më ankand, nuk është më tender. Edhe një i djathtë ia ka parë hajrin kësaj qeverie, ndaj kemi të gjithë të drejtën t’i shohim në sy dhe t’u themi: ‘O shokë, o shoqe, jeni vëllezërit dhe motrat tona, përse e çoni votën dëm për sherr?”, përfundoi Veliaj.
Top Channel