Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi në Twitter një video, të cilën e kishte realizuar vetë duke ecur në rrugët e Kievit në përpjekje për të hedhur poshtë zërat se ai i ka bërë thirrje ushtrisë të dorëzohet përpara trupave ruse.
“Ka shumë dezinformim në rrjet. Po thonë që unë i kamë kërkuar ushtrisë të dorëzohet, dhe se kanë nisur evakuimet. Epo, unë jam këtu. Ne nuk kemi për t`i ulur armët. Ne do ta mbrojmë shtetin tonë”, dëgjohet të thotë ai.
Mediat amerikane thonë se kreu i shtetit ukrainas refuzoi një ofertë të Washingtonit për ta ndihmuar që të largohet nga vendi. “Lufta është këtu. Kam nevojë për municione, jo për shëtitje”, ka thënë ai sipas Associated Press. washington Post po ashtu citon zyrtarë amerikanë dhe ukrainas të pohojnë se qeveria amerikane është e gatshme të ndihmojë Zelenskyn. Komediani i kthyer në president mbajti më herët një fjalim prekës, ku zotohej të vazhdonte luftën.
Zelensky: Kur ju na sulmoni, ajo që do të shihni është fytyra jonë, jo kurrizi ynë. Ne jemi këtu të gjithë, bashkë me ndihmësit e mi, dhe këtu do të qëndrojmë.
Zelensky urdhëroi po kështu që meshkujt nga mosha 18 deri në 60 vjec të mos largohen nga vendi, teksa shpalli mobilizimin e përgjithshëm, me qëllimin që të sigurohet, siç tha ai, mbrojtja e vendit.
Top Channel