Reja radioaktive mbi Europë? Alarmi: Nga Çernobili po lëshohet rrezatim

26/02/2022 19:08

Autoritetet ukrainase dhanë alarmin se nivelet e rrezatimit janë rritur në zonën e Çernobilit, që nga momenti kur uzina bërthamore u mor nën kontroll nga trupat ruse.

Ekspertët e Agjencisë Atomike të Ukrainës njoftuan se nivelet e rrezatimit kanë ndryshuar për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda ushtarake në atë zonë, lëvizja e të cilave ka bërë që të ngrihet në ajër pluhur radioaktiv.

Uzina e Çernobilit, që është jashtë funksionit, u mor nën kontroll nga forcat ruse në 24 shkurt, shumë shpejt pas Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Ekspertët citojnë të dhënat e sistemit të  automatizuar të monitorimit në zonën e ndaluar përreth uzinës, të cilat tregojnë se nivelet e rrezatimit atje, janë tejkaluar, por për momentin nuk paraqesin ende rrezik për publikun.

Në uzinën, e cila gjendet 130 kilometra në veri të Kievit, reaktori që shpërtheu në 1986 duke shkaktuar katastrofën më të madhe atomike të këtij lloji në botë, është mbajtur i mbuluar me strehë mbrojtëse për të parandaluar rrezatimin.

Shpërthimi i aterhërshem kontaminoi pjesë të mëdha të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që çoi në krijimin e një zone të ndaluar rreth 2,600 kilometra katrorë, ndërsa shpërndau material radioaktiv edhe në shumë pjesë të tjera të Europës.

Top Channel