Piloti “fantazëm” ukrainas që po tmerron rusët: Godet papritur dhe “zhduket”

26/02/2022 13:48

Disa e kanë quajtur “Hija e Kievit”; të tjerë “piloti fantazëm që po kthehet në tmerrin e rusëve”. Në rrjetet sociale është shpërndarë fotoja, por jo edhe emri i tij.

Mjafton kaq megjithatë, që piloti ukrainas i një avioni MiG-29 të kthehet në një hero për veprimet e tij të guximshme. Vetëm gjatë ditës së premte, sipas shtypit ukrainas, ai ka ndjekur e goditur 6 avionë rusë, duke i rrëzuar që të gjithë njëri pas tjetrit. gazetat atje tregojnë edhe llojet e avionëve që ka shkatërruar piloti në fjalë: 2xSu-35, 1xSu-27,1xMiG-29, 2xSu-25.

Moska ende nuk ka dhënë raporte të qarta mbi numrin e viktimave në radhët e trupave të saj apo të avionëve të humbur në aksion. Një ditë më parë, në faqen zyrtare të ministrisë ukrainase të mbrojtjes në Tëitter, u publikua një video e cila tregonte momentin kur një avion rus “Su-35” goditet dhe rrëzohet nga një Mig-29.

Përmes ofensivës ruse në ukrainë, presidenti Vladimir Putin po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e vendit në NATO – gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial ndaj vendit të tij- dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.

Top Channel