Pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti njoftuan se kanë marrë masa shtesë sigurie.

U bë e ditur se ata kanë takuar përfaqësues të mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë – por nuk u dhanë detaje as për takimet, as për masat.

Ndërkohë, policia e Kosovës bëri të ditur se ka dërguar sot “pajisje logjistike dhe kontejnerë” në vendkalimin kufitar Bërnjak, të cilat, siç tha, do t’i shërbejnë policisë kufitare. Bërnjaku ndodhet në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Fill pas kësaj lëvizjeje, zyra për Kosovën në qeverinë serbe deklaroi se  “aksioni i fundit policor në veri është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura”. Qëllim i këtij aksioni, sipas saj, është “provokimi i rrezikshëm” dhe “destabilizimi i situatës në terren”.

Në deklaratën e kësaj zyre thuhet se Policia e Kosovës, 80 metra nga vendkalimi në Bërnjak, ka dërguar “makineri të rënda dhe njerëz” me “pretekstin e forcimit të postbllokut policor në vendkalim”.

“Veprime të tilla të njëanshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës kanë vetëm një qëllim: të provokojnë një destabilizim të ri të situatës në terren, në një moment shumë të ndjeshëm për sigurinë, me të cilin po përballet e gjithë bota”, theksohet më deklaratë.

Kjo zyrë i bëri thirrje Prishtinës që të mos e provokojë Beogradin dhe serbët në Kosovë dhe të mos rrezikojë paqen dhe sigurinë, duke shkelur marrëveshjen.

Dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës – Jarina dhe Bërnjaku – u bllokuan nga serbët lokalë për dy javë në shtator të vitit të kaluar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA