Ministria ruse e Mbrojtjes urdhëron trupat të rifillojnë sulmin në të gjitha drejtimet

26/02/2022 18:15

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat e saj janë urdhëruar të rifillojnë sulmin në të gjitha drejtimet, pasi u urdhërua një pezullim për nisjen e negociatave me qeverinë ukrainase.

“Të premten, pasi regjimi i Kievit deklaroi gatishmërinë e tij për negociata, sulmet në drejtimet kryesore të operacionit u pezulluan”,  tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov në një deklaratë të shtunën.

“Pasi pala ukrainase braktisi procesin e negociatave, sot të gjitha njësitë u urdhëruan të vazhdojnë ofensivën e tyre në të gjitha drejtimet në përputhje me planin e operacionit”.

Një këshilltar presidencial ukrainas mohoi në orët e para të së shtunës se Ukraina kishte refuzuar të negocionte.

Vërejtjet e Konashenkov, të cilat u bënë jehonë edhe nga Kremlini, u bënë pasi zyrtarët perëndimorë thanë se pushtimi rus nuk po përparonte aq shpejt sa do të priste Moska.

Lufta arriti në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës të shtunën pasi ushtria e vendit u përpoq të ndalonte përparimin e forcave ruse në vende të ndryshme. Sulmet janë ndeshur me rezistencë të fortë nga ushtria e Ukrainës e cila ka arritur që t’i zmbrapsë forcat ruse në disa raste.

Kievi po sulmohet nga çdo anë ndërsa ende nuk ka shifra për numrin e ushtarëve rus të vrarë. Deri tani raportohet se 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë janë vrarë që prej nisjes së luftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA