Qeveria ne Kiev njoftoi se në rrugët e kryeqytetit ukrainas kanë shpërthyer luftime.
Një ditë më parë, media të mëdha botërore si BBC e The Guardian përcollën informacione se forcat e Moskës kishte hyrë në lagjen veriore të Kievit, Obolon, e ndodhur vetëm 9 kilometra larg parlamentit, që ndodhet në qendër të qytetit. Megjithatë, ushtria ruse ka hasur në rezistencë të fortë. Shpërthime, zjarr artileri e të shtëna automatiku u dëgjuan në kryeqytet mëngjesin e sotëm, megjithatë ishin në një lloj distance nga qendra. Ushtria ukrainase thotë se rusët sulmuan një bazë ushtarake në një rrugë kryesore të Kievit, por mësymja e tyre u zbraps.
Në një postim në faqen e Facebookut të ushtrisë, thuhet gjithashtu se mbi 3,500 ushtarë rusë të përfshirë në incursion janë vrarë dhe gati 200 të tjerë janë kapur rob. Po kështu, theksohet se Rusia ka humbur deri tani 14 avionë luftarakë, 8 helikopterë dhe 102 tanke. BBC thekson se ka pasur të pamundur t’i verifikojë të tilla pretendime në mënyrë të pavarur. Moska vetë deri tani, nuk ka nxjerrë raporte viktimash. Sipas disa raporteve, raketa po lëshohen mbi Ukrainë edhe nga Deti i Zi.
Sulme ajrore janë regjistruar në disa zona, teksa dhuna me sa duket, po vjen duke u përshkallëzuar. Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se rusët kanë marrë tashmë nën kontroll qytetin Melitopol –e para qendër e rëndësishme e banuar e marrë prej tyre që nga fillimi i pushtimit. Melitopoli ndodhet shumë pranë qytetit port Mariupol, ne rajonin juglindor Zaporizhzhya. Banorëve të Kievit iu kërkua të krijonin vetë bomba Molotov e ti përdornin për të zbrapsur pushtuesit, ndërsa shumë familje e kaluan natën në vendstrehime teksa kryeqyteti goditej nga raketat ruse.
Pamje, që gjithashtu nuk janë verifikuar, po qarkullojnë sakaq në mediat sociale; ajo tregon një bllok apartamentesh pjesërisht të shkatërruar në Kiev, ndërsa shoqërohet me komentin: “Rusët thanë se nuk do të godasin strukturat civile”!
Marrja e Kievit është e një rëndësie kyçe për Moskën dhe për suksesin e pushtimit rus. Por kjo mund të përfshijë dhe luftën urbane, e cila do të sjellë humbje të mëdha nga të dyja palët.
Top Channel