Vendimi i Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën ka përmbysur supozimet për paprekshmërinë e kufijve dhe e ka futur botën në një situatë krejtësisht të re, thonë ekspertë gjermanë të sigurisë.
Sipas tyre, pushtimi i Rusisë jo vetëm që kërcënon sovranitetin e Ukrainës, por ka minuar të gjithë rendin gjeopolitik. “Sot pothuajse gjithçka është ndryshe, krahasuar me dje” – tha për DW politologu Johannes Varwick, nga universiteti i Halle.
“Tani jemi kthyer në një lloj konfrontimi të blloqeve. Vetëm se kufijtë e Bllokut Perëndimor janë zhvendosur drejt Lindjes, në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë. Paqja në Evropë është një gjë e së kaluarës dhe besimi tek Rusia është shkatërruar plotësisht. Do të duhen dekada për të rivendosur besimin mes Perëndimit dhe Rusisë” , shton ai.
Vendimi i presidentit Putin për të dërguar trupa përtej kufirit të një kombi sovran – pushtimi më i madh i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore – ka krijuar atë që shumë e shohin si një precedent të tmerrshëm. Rafael Loss, specialist i politikave të sigurisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Këshillin Evropian (ECFR), tha për DW se në krizën aktuale, pasojat afatgjata janë ende të vështira për t’u vlerësuar. “Për të paktën tek disa pjesë të Evropës, duket se rendi i 1990-ës është nën rrënoja.
Kryesisht për vendet që gjenden ndërmjet, për fat të keq, vendet që nuk janë tashmë pjesë e NATO-s apo e Bashkimit Evropian”. Kjo nënkupton sipas tij, se vendet evropiane do të bëhen edhe njëherë tjetër, si në Luftën e Ftohtë, gjithnjë e më shumë të varura nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen, dhe kufijtë nën sferën e ndikimit rus do të militarizohen.
Top Channel