”Shkoni në djall”! Nuk u dorëzuan, vriten ushtarët ukrainas (Videoja virale)

25/02/2022 16:30

Mesazhi i fundit i dërguar nga rojet bregdetare ukrainase që mbronin një ishull strategjik përpara se të vriteshin nga ushtria ruse, ka bërë xhiron e botës.

Tepër të paktë në numër përballë trupave ruse, edhe pse e dinin çfarë fati i priste, 13 rojet e stacionuara në Zmiinyi, apo ishulli i Gjarprit rreth 40 kilometra larg kufijve me Moldavinë e Rumaninë i sfiduan hapur forcat pushtuese, e bashkë me to, sfiduan edhe vdekjen e sigurt. Përmes altoparlantëve, anijet ruse i kërkuan të dorëzoheshin. “Ulini menjëherë armët sepse në të kundërt do të goditeni nga një sulm me bomba. Le të shmangim gjakderdhjen dhe vdekjet e panevojshme”, ishte apeli i palës ruse. Dy roje ukrainase dëgjohen duke folur me njëri-tjetrin: A t’i them të shkojnë të mbushen? Dhe pastaj vjen përgjigja e tyre: “Luftanije ruse, vafsh në djall”! , e treguar nga pamjet në Twitter nga Alec Luhn.

Mesazhi audio u siguruar në fillim nga media ukrainase Ukrayinska Pravda, dhe tashmë është konfirmuar edhe nga ministria ukrainase e mbrojtjes. Volodimir Zelensky i përshkroi si heronj 13 rojet që humbën jetën nga sulmi rus. Të gjithë atyre u janë dhënë pas vdekjes medaljet e Heronjve të Ukrainës.

Dy luftanijet ruse iu afruan ishullit të enjten, pak pasi presidenti rus Vladimir Putin dha urdhrin për fillimin e pushtimit të Ukrainës. Ndërkohë nga i gjithë vendi po thirren rezervistë për të mbrojtur Ukrainën. Zelensky nënshkroi një dekret për mobilizimin e përgjithshëm. Ai vlen për 90 ditë, ndërsa meshkujt nga mosha 18-60 vjeç nuk lejohet të largohen nga Ukraina.

Top Channel