Rezistencë e përgjakshme/ Ukraina: Kemi vrarë e kapur 800 rusë, shkatërrohen 30 tanke!

25/02/2022 17:35

Ukraina pretendon se ka vrarë e kapur 800 trupa ruse, se ka shkatërruar 30 tanke dhe ka rrëzuar shtatë avionë luftarakë, ndërsa vazhdon t’i bëjë rezistencë avancimit të ushtarëve të Moskës.

Ministria ukrainase e mbrojtjes lëshoi një vlerësim pozitiv të luftimeve të ditës së parë, në mesin e frikës se kryeqyteti, ku rusët kanë shkelur tashmë, mund të bjerë.

Tanket ruse u filmuan duke hyrë në veri të Kievit. Banorëve në zonë iu kërkua të krijojne vetë bomba Motolovë e t`i përdorin për të neutralizuar armikun. Strategjia e forcave ruse duket ka qenë një sulm në të gjitha frontet teksa tentuan një goditje rrufe në Ukrainë.

Objektivi i Putinit besohet të jetë kapja e Kievit dhe rrëzimi i Presidentit Volodymyr Zelenskyy, në mënyrë që të instalojë atje një regjim kukull, të bindur ndaj Moskës. Megjithatë, forcat ukrainase duket se kanë luftuar ashpër – duke zmbrapsur një numër sulmesh të forcave armike.

Pikëpyetje të mëdha rrethojnë saktësinë e shifrave të ofruara nga Kievi zyrtar, megjithatë shërbimet britanike të inteligjencës thonë se Rusia ka pësuar humbje vërtet. Sipas sekretarit britanik të mbrojtjes, Kremlini “nuk i ka marrë dot deri tani objektivat e tij më kryesorë” pasi u përball me një rezistencë shumë më të ashpër nga sa pritej.

Top Channel