Gazprom vazhdon të eksportojë gaz përmes Ukrainës

25/02/2022 14:47

Eksportet e gazit rus përmes tubacioneve që kalojnë nëpër territorin ukrainas vazhdojnë pavarësisht konfliktit ushtarak.

Lajmi është bërë me dije këtë të premte nga kompania ruse Gazprom.

“Gazprom po furnizon me gaz si zakonisht përmes linjave që kalojnë në rajonin e Ukrainës dhe sipas kërkesave të klientëve evropianë”, tha kompania. Sipas saj, ditën e sotme, janë eksportuar 103.8 milionë metra kub gaz.

Në të njëjtën kohë, transporti i gazit në drejtimin lindor drejt Polonisë nëpërmjet gazsjellësit Yamal-Evropë është katërfishuar, sipas operatorit gjerman të gazit Gascade.

Nuk është ende e qartë nëse eksportimi i madh i kësaj lënde në Evropë lidhet me ngjarjet në Ukrainë.

Rrjeti Yamal-Evropë, i cili lidh Poloninë dhe Gjermaninë, zakonisht eksporton rreth 15 për qind të furnizimeve me gaz rus në Evropë dhe Turqi, por që nga muaji dhjetor ky rrjet nuk ka funksionuar ashtu siç pritej për shkak të rritjes së çmimit të gazit në Evropë.

Top Channel