Skavica, një nga projektet më të mëdha energjetike në vend, sipas ambientalistëve është shkatërrues për Dibrën.
Një grup shoqatash ambientaliste u mblodhën këtë të premte në një konferencë sensivilizimi për çështjen e Skavicës dhe sipas tyre, ndërtimi i saj, do të mbyste 32 fshatra me mbi 12 mijë banorë dhe mbi 700 hektarë tokë bujqësore.
Sipas tyre, baseni ujëmbledhës do ta ndante Dibrën në dy pjesë, ndërsa impakti social dhe mjedisor do jetë shumë i madh.
Një prej tyre, Farzileta Gjika, e cila është një ambientaliste nga SHBA tregon se projekte të tilla nuk mund të ndërtohen më në SHBA prej më shumë se 100 vjetësh, por edhe mund të anulohen.
Për studiuesin Përnezha e rëndësishme është sensibilizimi i popullatës dhe çuarja e çështjes në gjykatë, pasi sipas tij vetëm kjo e fundit mund ta anulojë këtë projekt shkatërrues për Dibrën.
Kujtojmë se Qeveria miratoi projektligjin për kontratën me kompaninë Bechtel me qëllim ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një projekt ky madhor që do të mbështetet me 500 milionë dollarë nga qeveria amerikane për ndërtimin e tij.
Sipas projektligjit, kontrata do të ndahet në dy faza, ku faza e parë përfshin atë përgatitore dhe propozimin e kompanisë tek autoriteti kontraktues, ndërsa faza e dytë e kontratës konsiston në projektimin dhe ndërtimin e kësaj vepre energjetike.
Pas prezantimit të projektit të Skavicës në qershor, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Kith Krack nënshkruan në Tiranë një memorandum bashkëpunimi në tetor të vitit të kaluar, ku dakordësuan që kompania Bechtel krahas projektimit dhe ndërtimit, do të mundësonte edhe financimin e projektit përmes kredisë së butë prej 500 milionë dollarë.
Top Channel