Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të enjten në mëngjes nisjen e pushtimit të Ukrainës, duke lëshuar një batare granatash e raketash vetëm disa minuta më vonë. Sirenat e emergjencës gjëmuan në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Njerëzit të tmerruar kanë nxitur të largohen prej andej, një numër i madh makinash janë parë nëpër rrugë, teksa paniku i ka përfshirë banorët e Kievit.
Ata që u larguan iu drejtuan me nxitim bodrumeve, ndërsa stacionet e metrosë së Kievit gjithashtu raportohet se po kthehen në bunkerë të improvizuar.
Dëshmitarët okularë i kanë thënë CNN se stacionet e metrove janë mbushur me njerëz që kanë marrë sasi të mëdha ushqimi me vete.
“Stacionet janë plotë”, tha një qytetar i Kievit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, njoftoi me herët se Rusia kishte kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë vendin me mbrojtje dhe financa.
Disa qytete ukrainase sakaq janë gjendje edhe nën një sulm kibernetik; një sërë Website-sh kanë rënë ndërsa ka edhe vështirësi komunikimi.
Top Channel