Teatri Metropol vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tri dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.
Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Eshtë një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.
Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tre pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.
“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tre periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Europë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre netë të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale” shprehet regjisorja Rozi Kostani. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar. “Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja Rozi Kostani.
*
Autorja nuk ka për qëllim të jap një mësim historie për vendin ku u lind dhe u rrit. “Kjo nuk do të më interesonte kurrë si dramaturg. Shpresoj se po hedh dritë mbi marrëdhëniet brenda familjes”, shprehet Stiviçiç në një interpvistë të vitit 2014 dhënë në Londër. Ajo tregon se stërgjyshja e saj ishte një grua e klasës punëtore e pa shkolluar, e cila nuk kishte zë në shoqëri për të shprehur çfarëdo mendimi apo dhe dëshire që kishte. “Njëqind vjet më parë stërgjyshja ime ishte shërbëtore në një shtëpi luksoze,” thotë Tena, duke shtuar se ajo ishte analfabete, mbeti shtatzënë jashtë martese, u përjashtua nga komuniteti i saj rural dhe e mbajti atë njollë gjatë gjithë jetës së saj. Ajo nuk kishte zë për të shprehur zhgënjimin e saj apo për të kuptuar pozicionin e saj. Por ajo kishte instinktin për ta dërguar vajzën e saj në shkollë. . . dhe më pas fëmijët e saj mbaruan kolegjin. Dhe tani unë stërmbesa e saj jo vetëm që kam një zë, por po e përdor atë në më shumë se një gjuhë”, shprehet autorja e veprës Siç thotë Stivicic, kjo vepër është një udhëtim, bashkë me faktorët personalë dhe politikë që qëndrojnë pas këtij udhëtimi që drejtojnë komplotin e “Tre dimrave”. Vepra është një dramë me ngjyrime komike jetësore.
*
Stivicic pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.
Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile! premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit. Tena Stivicic jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër. Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt. Drama “3 dimrat” e Tena Štivičić u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015.
Personazhet
Masha interpretohet nga aktorja Yllka Mujo, e cila është vajza e e Rozës, dhe gruaja e Vlados. Masha është ndjerë e padëshiruar nga prindërit që në fëmijëri. Ndihet e vetmuar, në një shtëpi plot me njerëz, ku gjithmonë përpjekjet e saj janë për ti kënaqur të gjithë. Masha ka dashur gjithmonë të ketë vajza dhe në fakt ka dy vajza, Alisën dhe Luçian.
Vlado interpretohet nga aktori Sokol Angjeli, i cili luan bashkëshortin e Mashës. Eshtë ateist, me bindje të majta. Shumë familjar, e do shumë Mashën por nuk ia shpreh, pavarësisht se nuk e ndihmon aspak në punët e shtëpisë. Është indiferent ndaj çdoj gjëje dhe kujton se ushqimin ia sjellin lejlekët.
Alisa interpretohet nga Ketjona Pecnikaj në moshën 15 vjeç dhe nga aktorja Armela Demaj në moshën 36 vjeç. Eshtë vajza e Mashës dhe Vlados, si dhe motra e Luçias. Gjithmonë ka aspiruar të dalë jashtë kufinjve për të provuar hapësira të tjera. Alisa në moshën 15 vjeç dashuron Markon. I pëlqen shumë shkolla. Lënda që pëlqen më shumë është historia, duke ndjekur kështu gjurmët e të atit.
Luçia interpretohet nga Klesta Shero në moshën 12 vjeç dhe nga Ina Morinaj në moshën 34 vjeç. Eshtë vajza tjetër e Mashës dhe Valdos si dhe motra e Alisës. Që e vogël gjendet në një konflikt të vazhdueshëm me Alisën, dhe e ndjen që nuk e ka vëmendjen e saj. Janë karaktere të ndryshme. Luçia është më praktike, pragmatiste, llogaritare ngjanë me Rozën në këtë pikë. Nuk i pëlqen shkolla. Kulmin e lumturisë e ka kur ikën Alisa dhe dhomën e ka të gjithën për vete.
Roza interpretohet nga aktorja Elia Zaharia, e cila është mamaja e dy motrave Mashës dhe Dunjës. E bija e Monikës, e cila nuk e llastonte për asgjë dhe asnjëherë nuk ia shprehu dashurinë. Është ndjerë fëmijë i padëshiruar nga prindërit e saj. Dyshimi ka qenë një lloj njolle për të e cila është trashëguar. Roza ka qënë skllave në moshën 5 vjeç. Vuante nga morthi sa desh ia prenë gishtat.
Dunja interpretohet nga aktorja Luiza Xhuvani, e cila është motra e Mashës dhe e bija e Rozës. Ajo ka dashur gjithmonë të jetë e pavarur. Në vitet ‘80 punonte në Gjermani dhe në shtëpi kthehej vetëm një herë në vit për vizitë, ku I duhej të bënte 15 orë rrugë me makinë nga Duseldorfi. Nuk ka frikë nga vendet e reja e do ndryshimin, i propozon ndryshim në paraqitje edhe Mashës, duke I premtuar se do ti sjell një bojë për të lyer flokët.
Karli interpretohet nga aktori Viktor Zhusti, i cili luan burrin e Dunjës. Është një tip që e do ndryshimin dhe gjithmonë do të përfitojë. I pëlqen shumë pija dhe shpesh nuk e duron më superioritetin e Dunjës.
Karolina interpretohet në moshë të re nga aktorja Klea Konomi dhe kur është në moshën 90 vjeçare interpretohet nga aktorja Marjeta Ljarja. Eshtë një grua aristokrate, e zonja e shtëpisë në të cilën zhvillohen gjithë ngjarjet. Fillimisht ka dashur të studionte për histori dhe politikë. Në vitin 1990 përpiqet të thotë historinë e familjes dhe ajo zgjedh të flas me Luçian. Vajzat janë trajtuar gjithmonë si barrë. Vëllezërit janë një zhgënjim i madh. I vinin shushunja në trup, nuk është dakord me mjeksinë e kohës që ka jetuar, është përparimtare e do zhvillimin. Në moshën 5 vjeç babai donte ta martonte me një austiak të moshuar për të përforcuar lidhjet me monarkinë Austro-Hungareze.
Monika interpretohet nga aktorja Sonila Kapidani, e cila është e ëma e Rozës dhe gjyshja e Mashës dhe Dunjës. Ka punuar si shërbëtore në shtëpinë e Karolinës. Vinte nga një familje e varfër fshatare që e dënon Monikën dhe të bijën, duke ia trajtuar si skllave, pasi Monika nuk kishte mundësi ta mbante vajzën. Ajo është femër e fortë dhe e përulur me një shpirt të madh që di të fal.
Marko interpretohet nga aktori Amri Hasanlliu, i cili luan komshiun e familjes Kos. Njëkohësisht ai është i dashuri i Alisës dhe ka qënë në luftën e Bosnjës.
Aleksandri interpretohet në moshë të re nga aktori Xhino Musollari dhe më pas në moshë më të vonët nga aktori Kastriot Ramollari. Aleksandri është burri i Rozës.
Oficeri italin interpretohet nga aktori Lindar Kaja.
Titulli: “Tre dimra”
Autor: Tena Stiviçiç
Regjia: Rozi Kostani.
Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.
Trupa e Ansamblit Tirana: Sedmir Memia, Sara Koçi, Xhoni Spahi, Luisa Dinellari, Mario Bali, Erdet Miraka, Adela Gjyla, Stiv Osmanaj, Megi Duka, Mariglen Domi
Studentët e Universitetit të Arteve: Ergi Hasani, Serxhjo Danga, Enxhi Balla,
Edison Kajdomqaj, Griselda Prendaj, Romeo Bushati, Antonela Çina, Ardien Gjabri
As.regjisor: Elona Hyseni
Muzika: Genti Rushi
Mjeshtër vokali: Suzana Turku
Skenograf: Stjuart Reçi
Kostumograf: Frenci Gjerasi
Ndriçimi: Ergys Baki
Grimi: Marinela Halilaj
Në datat: 24, 25, 26, 27 shkurt, 3, 4, 5, 6, 24, 25, 26, 26, 31 mars, 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10 prill
Ora 19:00
Top Channel