“Sanksionet nuk do të zgjidhin asgjë me Rusinë. Është e vështirë të imagjinohet “që Moska” të ndryshojë politikën e jashtme nën kërcënimin e masave kufizuese”.
Ky ishte komenti i thatë i ambasadorit rus në SHBA, Anatoly Antonov, pas njoftimit të presidentit amerikan Joe Biden për masa dërrmuese ekonomike ndaj Moskës në përgjigje të krizës ukrainase.
“Nuk mbaj mend ndonjë ditë kur vendi ynë të ketë jetuar pa asnjë kufizim nga bota perëndimore. Ne jemi mësuar të punojmë në kushte të tilla. Dhe jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të zhvilluar shtetin tonë”, vijoi përfaqësuesi i Moskës përmes një mesazhi në Facebook.
“Nuk ka dyshim se sanksionet e vendosura ndaj nesh do të dëmtojnë tregjet globale financiare dhe të energjisë. Por mos harroni, as Shtetet e Bashkuara nuk do të përjashtohen, qytetarët e thjeshtë do të vuajnë të gjitha pasojat e rritjes së çmimeve”, shtoi ai. BE-ja thotë se sanksione që hyjnë në fuqi këto ditë, “do t`i dhembin shumë Rusisë”.
Australia tha se do të shënjestrojë dhe ajo dy banka ruse e do të vendosë ndalime udhëtimi për tetë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Putinit. Kryeministri japonez, Fumio Kishida, njoftoi gjithashtu se qeveria e tij do të ndalojë shpërndarjen e re të letrave me vlerë të qeverisë ruse në Japoni, do të ndalojë udhëtimin e njerëzve të lidhur me dy rajonet separatiste ukrainase dhe do të ngrijë asetet e tyre.
Top Channel