Perëndimi i tregoi një ditë më parë Rusisë se është gati të shënjestrojë industrinë e saj gjigante të energjisë- edhe pse kjo mund t`i dhembë edhe atij vetë.
Pasi Moska urdhëroi hyrjen e trupave në lindje të Ukrainës, Gjermania njoftoi se po bllokonte certifikimin e Nord Stream2. Lajmin e dha vetë kancelari Olad Scholz. Gazsjellësi 750 milje i gjatë përfundoi shtatorin e vitit të kaluar, por nuk e ka marrë ende aprovimin zyrtar të rregullatorëve gjermanë, e pa miratimin e tyre, gazi rus nuk kalon dot në Gjermani përmes dy tubacioneve të tij.
Moska, e cila e ka reduktuar tashmë furnizimin e Europës me gaz, reagoi duke kërcënuar të mbyllë edhe rubineta të tjerë. Gjermania mund të plotësojë nevojat e saj për energji pa gaz rus, tha ministri gjerman i ekonomisë, duke minimizuar kështu kërcënimin rus.
I pyetur në radion publike nëse ekonomia më e madhe e Evropës mund të bënte pa furnizime me gaz natyror nga Rusia, aktualisht furnizuesi i saj më i madh, Robert Habeck u përgjigj, “po, mundet”.
Por sa është kjo e vërtetë? Dërgesat e gazit të lëngshëm LNG nga Shtetet e Bashkuara dhe Watari e kanë ndihmuar këto kohë Europën, por duke cituar ekspertë të fushës, CNN thotë se nëse Rusia e ndalon krejtësisht furnizimin e kontinentit te vjetër, nuk ka mjaftueshëm LNG që ta zëvëndësojë gazi rus.
Top Channel