Joe Biden nuk do të marrë më pjesë në samitin me Vladimir Putin, e konfirmuar kjo nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, pak pasi sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken u tërhoq dhe ai nga takimi me homologun rus, Sergei Lavrov.
“Diplomacia nuk mund të ketë sukses nëse Rusia nuk ndryshon kurs”, u shpreh Psaki, duke vendosu si kusht për samitin mes dy liderëve “çtensionimin e situatës” dhe uljen e përshkallëzimit, që nënkupton largimin e trupave nga Ukraina lindore.
Bideni e bëri të qartë më herët se ai e konsideron këtë fillimin e pushtimit të Ukrainës. Për atë Zot, kush mendoni se do t’i japë të drejtën Putinit t’i shpallë shtete të reja ato territore, që në fakt i takojnë vendit të tij fqinj, tha presidenti amerikan. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Joseph Borell vuri në pah dhe diçka tjetër.
Sipas tij, data që Vladimir Putin zgjodhi për këtë shkelje, siç e quajti kryediplomati europian, nuk ishte aspak rastësore. 22 shkurti i këtij viti shënonte përvjetorin e tetë të dëbimit të ish presidentit pro rus të Ukrainës, Victor Yanukovich dhe atij që u pa si triumf i demokracisë atje. Duket se këtë datë e ka pasur në mendje që në fillim, u shpreh Borell në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit për Çështjet e jashtme në Paris.
Top Channel