Kryebashkiakja Sako vlerëson me titullin “Mirënjohja e Qytetit” sportistin Vladimir Ajazi

23/02/2022 13:10

Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, ka vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” (pas vdekjes) një nga figurat e shquara të sportit durrsak dhe atij kombëtar Vladimir Ajazi.

Në ceremoninë e zhvilluar në ditën e tij të lindjes, kanë marrë pjesë kolegë të tij të nga fusha e sportit, familjarë si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se Vladimir Ajazi për të gjithë durrsakët është një ndër sportistët që ka lënë gjurmë të thella në librin e artë të sportit të futbolllit të këtij qyteti. “Nuk gjen sot një njeri në këtë qytet që të mos shprehë për këtë njeri, fjalët më të mira, të merituara si sportist, edukator i brezave të tërë nxënësish si mësues i edukimit fizik, trajner me ekipet e qytetit, zëvendëstrajner i ekipit kombëtar dhe mbi të gjitha familjarin dhe qytetarin shembull. Nisur nga këto në këtë ditë të lindjes së tij, kemi zgjedhur ta vlerësojmë me titullin ‘Mirënjohja e Qytetit’, një titull plotësisht i merituar për të”, tha Sako.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh dhe emrin që la si personalitet i spikatur i futbollit duke rrezatuar cilësi të shkëlqyera brenda dhe jashtë vendit; për përkushtimin si trajner profesionist në ecurinë progresive të këtij sporti në qytetin e Durrësit dhe rang kombëtar dhe për vlerat e jashtëzakonshme si qytetar model, për të mbetur një nga ikonat e traditës së sportit në breza”, është motivacioni për akordimin e këtij titulli.

Në këtë takim kanë folur edhe ish kolegë të tij duke sjellë kujtime dhe mbresa nga aktiviteti i gjatë si sportist por edhe si trajner. Vladimir Ajazi ka qenë portier i “Lokomotivës” së Durrësit dhe ekipit kombëtar Shpresa, ndërkohë që edhe më pas ka vazhduar të punojë me futbollin, teksa ka qenë edhe trajner i portierëve të Kombëtares për disa vite.

Ajazi ka qenë pjesë e një brezi të artë të futbollit durrsak në vitet ‘70 dhe ka qenë një nga personazhet më të dashur e popullor për sportdashësit e qytetit bregdetar. Vladimir Ajazi ka pasur edhe detyrën e zëvendës trajnerit të ekipit kombëtar kur trajner ishte gjermani Brigel, zëvëndëstrajner i “Teutës” në vitet e lavdishme të saj në mesin e viteve 90-të, seleksionues i zonës së Durrësit për fidanishten e re të futbollit shqiptar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA