Të prekurit me COVID duhet të qëndrojnë vetëm pesë ditë të karantinuar, sipas rregullave të reja të publikuara sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Ajo bëri me dije se Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 dhe ka rekomanduar që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet pesë muaj pas dozës së dytë.
Sa i takon masave anticovid, Ministrja Manastirliu thekson se situata po ndiqet në dinamikë dhe masat do të rivlerësohen në vijim.
Më parë të sëmurët me COVID duhet të qëndronin dy javë të karantinuar për të shmangur infektimin e të tjerëve.
“Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vlerësimin e situatës epidemiologjike, vlerësimin e ecurisë së programit të vaksinimit dhe masave anticovid.
Ekspertët e Komitetit Teknik rekomanduan për vlerësim nga Komiteti i Vaksinimit, reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas dozës së dytë.
Komiteti vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 në 5 ditë, sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik.
Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit me dozën përforcuese, rritjen e mbulesës vaksinale për popullatën si dhe duke vlerësuar në dinamikë incidencën e rasteve të reja ditore dhe situatën në spitale, ekspertët e Komitetit Teknik do të ri-vlerësojnë në vijim masat anticovid.
#MbroShëndetin #Vaksinohu“, shkruan Manastirliu.
Vendi ynë dhe e gjithë bota vijon të jetë nën kthetrat e pandemisë së koronavirusit, ndërsa aktualisht janë 3763 raste aktive.
Që prej fillimit të pandemisë janë kryer 1,732,633 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 270,734 qytetarë. Deri më tani janë shëruar 263,518 të prekur nga COVID, ndërsa 3763 janë raste aktive.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 3,453, mes tyre këngëtarë, aktorë, piktorë apo në radhët e bluzave të bardha që u përqendruan në frontin e rrezikut duke u ardhur në ndihmë të sëmurëve me COVID.
Deri më tani janë kryer mbi 2.68 milionë vaksinime në vendin tonë, ndërsa çdo ditë bëhet apel që qytetarët të imunizohen për të shmangur humbjen e jetës.
Top Channel