Guvernatori i Hong Kongut, Carrie Lam të martën njoftoi se e gjithë popullsia e Hong Kongut do t’i nënshtrohet një testimi masiv kundër koronavirusit në muajin mars. Në javët e fundit, numri i infeksioneve në qytet ishte rritur me shpejtësi, duke i vënë spitalet në një krizë të madhe dhe qeveria qendrore e Kinës i kishte kërkuar në mënyrë specifike Lam-it të zbatonte masa më të rrepta se ato që kishte aplikuar deri më tani për të luftuar pandeminë në qytet.
Hong Kongu, i cili ka 7.5 milionë banorë dhe zyrtarisht i përket Kinës, por që qeveriset në një mënyrë gjysmë autonome, rrallë kishte pasur më shumë se 100 raste në ditë, deri në shpërthimin e javëve të fundit, ndërsa konsiderohej si një model i kontrollit të pandemisë.
Megjithatë, që nga 15 shkurti ka regjistruar mbi 5 mijë infeksione të reja në ditë dhe sipas gjasave të autoriteteve shëndetësore lokale në muajin mars mund të arrijë në 180 mijë raste në ditë. Rastet e reja, ndër të tjera, po ushtrojnë presion të madh në sistemin shëndetësor të qytetit, me disa spitale të detyruara të presin pacientët më barela në rrugë.
Deri më tani, qeveria e Hong Kongut i ishte përgjigjur pandemisë me një sistem të rreptë karantine, por pa vendosur bllokime të përgjithshme, siç ishte bërë në disa qytete të tjera kineze. Kjo gjë ndodhi për shkak se qeveria e Hong Kongut ka ruajtur një autonomi të caktuar nga Kina për menaxhimin e pandemisë. Por, rritja e fundit e infeksioneve e ka vënë në pikëpyetje edhe këtë autonomi.
Presidenti kinez Xi Jinping tha javën e kaluar se qeveria lokale e Hong Kongut duhet ta bëjë kontrollin e epidemisë “një përparësi dërrmuese”, duke nënkuptuar se duhet të marrë të njëjtat masa të vendosura në pjesën tjetër të Kinës. Mes tyre ishte testi masiv i popullsisë, të cilin guvernatori Carrie Lam fillimisht e konsideroi të pamundur në një qytet si Hong Kongu, ku ende ekzistojnë shumë liri personale.
Megjithatë, Lam ndryshoi mendje ditën e martë, duke thënë se në mars e gjithë popullata do të testohet tre herë dhe se qëllimi do të jetë kryerja e të paktën një milion testeve në ditë. Lam tha se nuk do të vendoset asnjë bllokim, duke e konsideruar një informacion të pavërtetë ndalimin e qytetarëve për të dalë nga shtëpitë e tyre.
Ashtu si në shumë vende të tjera të botës, edhe në Hong Kong vala e fundit e infeksioneve u shkaktua kryesisht nga përhapja e variantit Omicron të virusit dhe nxori në pah, ndër të tjera, dobësinë e sistemit shëndetësor të qytetit dhe një shkallë të ulët vaksinimi, veçanërisht tek të moshuarit. Aktualisht, vetëm 68 për qind e popullsisë së Hong Kongut e ka përfunduar dozën e parë të vaksinimit, ndërsa Lam tha se qeveria do të përpiqet të rrisë numrin e personave të vaksinuar në javët e ardhshme.
Sipas tij, qëllimi është që 90 për qind e popullsisë të marrë dozën e parë deri në fillim të muajit mars, ndërsa 80 për qind e saj do të marrë gjithashtu dozën e dytë deri në mesin e këtij muaji.
Top Channel