Banorët në vijën e frontit s’presin shumë ndryshime në Donbas

23/02/2022 09:11

Vetëm disa orë para se presidenti rus të njoftonte për vendimin për të rivizatuar sërish kufijtë e Ukrainës, predhat goditën dritaret në katin e sipërm të shtëpisë së Maria Artyomovas, duke krijuar një vrimë në çatinë e një ndërtese dykatëshe ku ndodhet një dyqan ushqimor dhe banesa të vogla.

Nga granatimet u vra fqinji i saj, Romani, teksa ishte duke punuar rreth 20 metra larg derës së shtëpisë së saj.

Ne thjesht duam të ndalojë. Kjo është e gjitha”, tha Artyoma, 75 vjeçe, e cila para se të pensionohej kishte punuar si sekretaresh dhe mësuese në një shkollë. Ajo kishte qenë në kuzhinë duke i dhënë burrit të saj diabetik një injeksion insuline kur filloi granatimi, që ishte më i rëndi në të paktën pesë vjetët e fundit.

Lufta tetëvjeçare në rajonin lindor ukrainas Donbas, ku ndodhet Novoluhanske, hyri në një fazë të re të rrezikshme, pas njoftimit të 21 shkurtit të presidentit rus, Vladimir Putin, që tha se Moska ka njohur pretendimet e pavarësisë së separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kanë nën kontroll pjesë të provincave të Donjeckut dhe Luhanskut.

Putin po ashtu u përgatit që të dërgojë trupa ruse në këto rajone, zyrtarisht kësaj radhe, pasi më deri tani, Moska ka mohuar se ka dërguar forca në Donbas, pavarësisht se shumë dëshmi kanë treguar për përfshirjen e forcave ruse në luftën që ka lënë të vdekur mbi 13,200 persona.

Më 21 shkurt, ai tha se Rusia i njeh pretendimet e separatistëve ndaj dy provincave në tërësinë e tyre, duke thelluar shqetësimet se rusët mund të arrijnë së shpejti në qytetet si Novolohanske, që janë në anën e “vijës së kontrollit” që kontrollohet nga Qeveria ukrainase.

Njoftimi i Putinit dhe fjalimi i tij armiqësor po ashtu shtuan frikën se Rusia –që ka grumbulluar, sipas zyrtarëve amerikanë, deri në 190,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, në Krimenë e kontrolluar nga Rusia dhe në Donbas – mund të nisë në çdo kohë një pushtim të shkallës së gjerë.

Vendimit të Putinit i paraprin ditë të intensifikimit të të shtënave me armë dhe granatimeve përgjatë vijës së kontrollit.

Për shumëkënd në Kiev dhe Perëndim, fjalët e Putinit dhe veprimet duket se janë shpallje e luftës kundër Ukrainës. Për Artyomovan, dhe për të tjerët që tentojnë të ruajnë pamjen e një normaliteti në jetën e tyre në Donbas, njohja e Rusisë për pretendimet e separatistëve është ofendimi i fundit në një seri të gjatë ofendimesh politike, ku janë përfshirë një breshëri lajmesh të këqija, rëndësia e të cilave shpesh kanë qenë më pak të rëndësishme sesa shqetësimet imediate të jetës së përditshme.

“Natyrisht, ne duam që Rusia dhe Ukraina të shkojnë mirë së bashku”, tha ajo, teksa zhurma e zjarrit të artilerisë jehonte nga vija e frontit, që gjendet rreth shtatë kilometra më larg.

Por, a do të ndryshojë diçka njoftimi i Putinit? “Nuk e di”, tha ajo. “A do të ketë tanke? Nuk e di. Gjithçka që di janë granatimet, ishin të frikshme, jashtëzakonisht të frikshme”.

Banorët e rajoneve lindore të Ukrainës duke u larguar nga shtëpitë e tyre. 19 shkurt 2022.
Në oborrin ngjitur, ku u vra fqinji i Marias, Romani, Raisa Andriyonova, 74 vjeçe, po largonte me fshesë prej kashte copëzat e xhamit dhe mbetjet metalike, teksa punëtorët erdhën dhe vendosën kompensatë në xhamat e thyer në ndërtesat përreth.

Andriyonova tha se nuk pret që diçka e mirë të dalë nga zhvillimet e fundit.

“Çdo gjë që e ndalon këtë çmenduri: kjo është një gjë e mirë”, tha ajo, duke shtuar se: “Unë nuk mendoj se [Putin] e di vërtetë se çfarë po bën. Ai tashmë është i vjetër”.

Disa lagje më në jug, në periferi të Novoluhanskes, një depo e braktisur e pajisjeve bujqësore, po përdoret për një njësi të këmbësorisë, që janë vendosur përballë një sërë pozicionesh të separatistëve. Për këtë arsye, kjo lagje vazhdimisht është cak i granatimeve të rënda.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë vizitës së trupave ukrainase, teksa ato morën pjesë në një stërvitje ushtarake në rajonin Rivne më 16 shkurt, 2022.

Komandanti i njësisë, Anatoliy, që është dislokuar në këtë pozicion rreth shtatë muaj më parë, tha se zjarri i mortajave është dukshëm më i rëndë ditëve të fundit. I pyetur nëse diçka kishte ndryshuar pas njoftimit të Putinit, ai ngriti supet.

“Epo, jo”, tha ai, “në fakt, situata ka qenë më pak e tensionuar para njoftimit”. Në të kaluarën ka pasur të shtëna me mortaja, por sipas tij, “vetëm se kurrë nuk kanë shënjestruar civilët këtu”./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA