Duke zbritur përditë tre metra nën tokë, një grup grabitësish të maskuar si punonjës të mirëmbajtjes përshkruanin përmbi 800 metra nga pika ku hynin me shkallë dhe mbërrinin pranë bankës që i kishin vënë syrin ta bastisnin.
Ky është tuneli i nëndheshëm në bulevardin Zogu I që është përdorur nga persona të paidentifikuar, me një plan me të cilin ata paramendonin që do të grabisnin një bankë të nivelit të dytë.
E gjitha kjo ka ndodhur pa u diktuar në bulevardin kryesor deri në momentin kur policia e Tiranës u informua pak përpara se grabitësit të hapnin kapitullin e fundit të planit të mirëorganizuar e për pasojë, përpara se ata të hynin në bankë. Megjithëse autorët u larguan pa u arrestuar, policia këmbëngul se ka gjetur gjurmë në mjetet e përdorura prej tyre.
Me mjete të posaçme, ata kanë prerë shkallën, kanë çarë betonin e tunelit dhe prej andej me një hartë të qartë që duhet t’i fuste direkt në bankë, ata kanë nisur gërmimet për të krijuar një tunel tjetër.
Ky është dheu i hequr nga gati 20 metra prej këtej, të gërmuara në krahun e djathtë të këtij blloku prej betoni, i cili është kufiri ndarës mes tunelit të nëndheshëm dhe hapësirës prej dheu që gjendet nën afërsi të bankës që ishte shënjestra e kësaj grabitjeje.
Ata kanë gërmuar dhe kjo është pjesa që është hapur, përditë nga pak me gati me një muaj kohë. Është çarë muri i betonit të tunelit të nëndheshëm në bulevardin Zogu I dhe përmes kësaj hapësire të krijuar nga grabitësit, është hequr dheu, tonelata të tëra me dhe, në fakt kanë konstatuar ekspertët e policisë sapo mbërritën në vendngjarje në kërkim të gjurmëve të autorëve.
Tuneli gjendet në afërsi të ministrisë së drejtësisë me drejtim qendrën e kryeqytetit dhe aty tanimë kanë mbetur shkallët që kanë prerë dhe gurë të nxjerrë nga hapësira përmes bankës dhe vendit ku ata gërmonin.
Pasi janë kryer të gjitha veprimet që kanë zgjatur disa orë, një grup specialistësh kanë salduar rrjetën prej hekuri, e cila më pas do të sofistikohet me masa të tjera.
Kjo është energjia elektrike me të cilën punonin në mënyrë që të mos zhyteshin në errësirë dhe mbi të gjitha, të dallonin se cfarë po bënin.
Për policinë, ky është rasti i dytë në pak vite kur grabitësit përdorin tunele për të hyrë në bankë. Në të parin, autorët u kapën.
Gjithçka mbetet pas kësaj grabitjeje të dështuar është pjesë e hetimeve që po kryhen nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës.
Top Channel