Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, Basha firmos peticionin e dekomunistizimit: Të jemi një familje

20/02/2022 13:43

Në 31 vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, kreu i opozitës Lulzim Basha, i shoqëruar nga nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj dhe kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj dhe deputetët e tjerë demokratë, ka firmosur peticionin për dekomunistizimin.

Nga sheshi “Skënderbej”, Basha u shpreh se do të zotohen të mos lejojnë më që ne mesin e shqiptarëve të rikrijohet kulti i individit, teksa kërkoi nga qytetarët të firmosin peticionin.

Le të jemi edhe sot një familje e përbashkët siç ishim 31 vite më parë, jo vetëm e demokratëve sepse ky shesh ishte i mbushur me të gjithë jo vetëm me demokratë. Kishte edhe ish-anëtarë të PPSH-së të cilët nuk e donin simbolin e diktaturës kishin hequr dorë nga kulti i individit. Po kështu të zotohemi që përmes qëndrimeve dhe veprimeve tona mos ta lejojmë kurrë kultin e individit, as në mesin tonë, as në mesin e shqiptarëve”, deklaroi Basha.

20 shkurti i vitit 1991 shënon rrëzimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Sot, bëhen 31 vite nga momenti kur revolta popullore e nisur nga lëvizja studentore e dhjetorit, kulmoi me rënien e bustit të Hoxhës.

Nismëtarja e këtij peticioni, Jonila Godole, kërkoi që edhe maxhoranca të bashkëngjitet në mbështetjen dhe firmosjen e dekomunistizimit.

Nuk bëhet fjalë për gjueti shtrigash, por për t’i dhënë fund një procesi të së shkuarës. Shpresoj shumë që këtë peticion ta firmosin dhe kolegët e mazhorancës”, tha Godole.

Në thelb nisma për dekomunistizimin dhe drejtësinë, synon që të ndalojë glorifikimin e diktaturës dhe përdorimin e simboleve komuniste.

Peticioni parashikon 6 kërkesa për Kuvendin e Shqipërisë.

Top Channel