Hungarezët, ekspansion të shpejtë në sektorët strategjikë të ekonomisë

19/02/2022 07:55

Brenda pak vitesh, investimet hungareze në Shqipëri po zgjerohen me ritme të shpejta. Ndërmarrjet hungareze po fitojnë pjesë të rëndësishme në tregjet bankare dhe të telekomunikacioneve

Ersuin Shehu

Pesë vite më parë, Hungaria pothuajse nuk ekzistonte në listën e investitorëve të huaj në Shqipëri. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri në tremujorin e tretë të vitit 2017, stoku i investimeve hungareze në Shqipëri ishte 0. Numrat nisën të lëvizin në gjysmën e dytë të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018, në fund të të cilit raportoheshin rreth 3 milionë euro investime hungareze në Shqipëri.

Në vitin 2017, hyri në Shqipëri i pari investitor hungarez (që nga largimi i ish-kompanisë së fluturimeve “Malev”), kompania e fluturimeve me kosto të ulët “Wizz Air”. Numrat e parë të investimeve hungareze në Shqipëri duket se kanë lëvizur pikërisht falë “Wizz Air”. Por, rritja e mirëfilltë erdhi vetëm në tremujorin e parë të vitit 2019, kur investimet hungareze arritën vlerën e 77 milionë eurove.

Ky moment përkon me finalizimin e blerjes së bankës “Societe Generale Albania” nga grupi hungarez OTP. Që nga ai moment, investimet hungareze kanë një tendencë të qartë në rritje.

Mbështetur në statistikat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të 9-mujorit 2021, stoku i investimeve hungareze arriti nivelin më të lartë historik, prej 110 milionë eurosh. Por, së shpejti, vlera e investimeve hungareze pritet të shënojë një rritje shumë të lartë, me finalizimin e blerjes së “Alpha Bank” nga OTP, si dhe të “Albtelecom” e ONE nga “4iG”.

Interesi i grupit hungarez OTP për Shqipërinë është i hershëm, që në procesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve. OTP, jo vetëm që ishte një nga palët më të interesuara, por ishte edhe subjekti që paraqiti edhe ofertën më të lartë në garën e privatizimit.

Megjithatë, besohet se edhe për arsye politike, qeveria shqiptare zgjodhi të pranonte ofertën prej 120 milionë eurosh të grupit austriak Raiffeisen, që e bleu zyrtarisht Bankën e Kursimeve në vitin 2004. Humbja e garës për privatizimin e Bankës së Kursimeve bëri që në atë periudhë, hungarezët të hiqnin dorë nga përpjekjet e tjera për të hyrë në tregun shqiptar, edhe pse në atë periudhë tregu bankar në Shqipëri do të shënonte një rritje me ritme të shpejta, që zgjati deri në vitin 2009.

Hyrja e OTP në Shqipëri ndodhi në një fazë krejt të ndryshme, në momentin kur shumica e grupeve të rëndësishme europiane po tërhiqeshin nga tregjet e Europës Juglindore. Njëri prej grupeve që ndërmori një tërheqje të gjerë nga rajoni ishte ai francez “Societe Generale”. Ndryshe nga sa bënë grupet e tjera bankare, “Societe Generale” nuk i shiti filialet në mënyrë individuale dhe me procese konkurruese, por zgjodhi rrugën e negociatave private dhe subjekti më i interesuar rezultoi pikërisht OTP.

Për shkak se kishte qenë një grup bankar i bazuar kryesisht në produkte bankare klasike dhe në segmentin retail, OTP nuk pati pasoja të mëdha nga kriza financiare. Dalja e grupeve të Europës Perëndimore ishte një rast i volitshëm për t’u zgjeruar në tregjet e Lindjes. Pas vitit 2018, OTP bleu njëra pas tjetrës shumicën e bankave të “Societe Generale” në rajon, duke përfshirë ato në Bullgari, Moldavi, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Rrjedhimisht, hyrja në Shqipëri erdhi si rezultat i një operacioni në shkallë të gjerë për të rritur praninë në rajon. Marrëveshja për blerjen e “Societe Generale Albania” u zyrtarizua në vitin 2018 dhe u mbyll në vitin 2019, me marrjen e miratimeve të nevojshme rregullatore. Banka “OTP Albania”, në fund të vitit 2021, zotëronte 6.4% të aktiveve të tregut bankar në Shqipëri, nga 5.7% që kishte qenë pjesa e tregut në momentin e marrjes së pronësisë nga grupi hungarez.

Por, që në momentin e hyrjes në tregun shqiptar, OTP bëri të qartë qëllimin për një zgjerim të mëtejshëm në tregun tonë, në një afat të mesëm. Rasti erdhi vitin e kaluar, me daljen në shitje të “Alpha Bank Albania”. Procesi i nisur në muajin maj 2021 u mbyll në dhjetor, kur grekët njoftuan zyrtarisht arritjen e një marrëveshj për shitjen e filialit shqiptar te grupi OTP.

Në fakt, burime nga tregu bëjnë të ditur se oferta prej 55 milionë eurosh e OTP ishte e dyta më e larta në garë, pas asaj të Bankës Amerikane të Investimeve, që pati ofruar 57 milionë euro. Megjithatë, grekët zgjodhën ofertën e OTP, me sa duket, duke vlerësuar se marrëveshja me një investitor strategjik të profilit më të lartë do të shtronte më pak rreziqe për mbylljen me sukses të procesit, përfshi këtu edhe marrjen e miratimeve të nevojshme nga autoritetet rregullatore.

Me blerjen e “Alpha Bank”, pjesa e tregut e OTP në Shqipëri pritet të arrijë në afërsisht 11% dhe do të renditet e pesta në treg për nga madhësia, pas BKT, “Credins Raiffeisen” dhe “Intesa Sanpaolo”.

Grupi bankar hungarez OTP është një ndër aktorët më të rëndësishëm në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore, me një total aktivesh prej më shumë se 42 miliardë eurosh. Për 9-mujorin 2021, grupi raportoi një fitim neto prej rreth 427 milionë eurosh.

“4iG”, dominuesi i ri i tregut të telekomunikacioneve?

Deri në vitin 2020, “4iG” ishte një kompani e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit pak e njohur jashtë tregut hungarez. Por, duke filluar nga viti 2021, kjo kompani nisi zgjerimin e aktiviteteve të saj edhe jashtë Hungarisë, nëpërmjet disa blerjeve të rëndësishme. Në janar të vitit 2021, ajo shpalli blerjen e 51% të operatorit satelitor izraelit “SpaceCom”, për 68 milionë dollarë amerikanë.

Në korrik 2021, “4iG” zyrtarizoi marrëveshjen paraprake për blerjen e operatorit më të madh celular në Mal të Zi, “Telenor Montenegro”. Marrëveshja përfundimtare u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar, ndërsa në dhjetor, transaksioni mori edhe miratimet finale nga autoritetet rregullatore në Mal të Zi.

Por, blerjet më të rëndësishme për nga ndikimi në tregun përkatës priten të jenë ato që “4iG” synon të kryejë në Shqipëri. Në 8 dhjetor 2021, “4iG” njoftoi zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për blerjen e “Albtelecom”, ndërsa dy javë më vonë njoftoi në mënyrë të papritur edhe finalizimin e marrëveshjes për blerjen e operatorit celular ONE.

Vlera e blerjeve nuk është bërë publike, ndërsa hungarezët kanë nisur procedurat për marrjen e miratimeve nga rregullatorët e tregut. Në muajin janar, blerja e “Albtelecom” u miratua zyrtarisht nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, ndërsa nuk ka marrë ende zyrtarisht miratimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Blerja e “Albtelecom” do ta bëjë “4iG” operatorin më të madh në tregun e komunikimeve me linja fikse.

Në fund të 9-mujorit 2021, “Albtelecom” zotëronte rreth 76% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të telefonisë fikse dhe 22% të abonentëve të internetit me brez të gjerë. Deri në fund të 2020, “Albtelecom” dominonte tregun e shërbimeve fikse edhe për nga xhiroja totale, me 41% të tregut. Megjithëse ngelet kryesues në segmentin e shërbimeve fikse, “Albtelecom” ka një rënie të vazhdueshme të pjesës së tregut në përdorues interneti broadband. Rimëkëmbja e “Albtelecom” në tregun më të rëndësishëm, atë të internetit, do të jetë një sfidë për hungarezët.

Ndërkohë, blerja e ONE nuk ka marrë ende asnjë miratim zyrtar. Në fund të muajit janar, Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se do të kërkojë më shumë kohë dhe kryerjen e një procedure vlerësimi të thelluar, lidhur me këtë transaksion. Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim horizontal, i cili mund të krijojë pozitë dominuese të palëve në marrëveshje dhe mund të sjellë mbivendosje të aktiviteteve të tyre në nivel kombëtar.

Komisioni i Konkurrencës ka vendosur një afat prej tre muajsh për përgatitjen e vlerësimit të thelluar nga Sekretariati i institucionit, ndaj marrja e vendimit përfundimtar nuk pritet të ndodhë para muajit maj. Transaksioni do të shkaktojë ndikim të konsiderueshëm në tregun e komunikimeve celulare në Shqipëri, duke e ulur numrin e operatorëve nga tre në dy, për herë të parë që nga viti 2008. Gjithashtu, bashkimi i “Albtelecom” dhe ONE nën kontrollin e “4iG” do të krijonte operatorin më të madh në këtë treg për nga numri i përdoruesve.

Në fund të 9-mujorit 2021, ONE dhe “Albtelecom” zotëronin gjithsej 57% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare. Lidhur me vlerësimin e peshës së tregut sipas të ardhurave nga komunikimet elektronike, të dhënat më të fundit të disponueshme janë ato të vitit 2020. Të marra së bashku, të ardhurat e ONE dhe të ardhurat e “Albtelecom” nga shërbimet celulare arritën në 11.2 miliardë lekë, ose rreth 47% të volumit të përgjithshëm të tregut celular në Shqipëri.

Kjo tregon se, të paktën me të dhënat e vitit 2020, “Vodafone Albania” do të rezultonte ende operatori më i madh për nga xhiroja, por tregu do të ishte më i balancuar dhe më i përqendruar. Treguesi që përdoret zakonisht për të matur shkallën e përqendrimit të tregjeve është indeksi HHI, që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë.

Zakonisht, pragu poshtë të cilit një treg pranohet si konkurrues është 1500. Në intervalin mes 1500 dhe 2500, tregu vlerësohet me përqendrim të moderuar, ndërsa një shkallë mbi 2500 tregon përqendrim të lartë. Megjithatë, për tregjet e telefonisë celulare, nivelet më të larta të përqendrimit pranohen si normale.

Këto tregje klasifikohen si oligopole natyrore dhe përgjithësisht ato kanë numër operatorësh më të ulët dhe shkallë përqendrimi më të lartë krahasuar me tregjet e tjera, ku nuk ekzistojnë barriera të mëdha hyrëse. Me të dhënat e vitit 2020, përqendrimi i tregut sipas xhiros ishte mjaft i lartë, në nivelin 3900. Po të bashkojmë xhirot e ONE dhe “Albtelecom”, ky përqendrim do të rezultonte edhe më i lartë, sipër nivelit 5000.

Rikthimi i tregut të telefonisë celulare në një duopol, në teori, do të krijonte shqetësim për shkallën e konkurrueshmërisë dhe për interesin konsumator. Shqiptarët vuajtën çmime të larta të telefonisë nga një strukturë e tillë tregu, sidomos në periudhën 2001-2006, edhe për shkak të mungesës së rolit të rregullatorit të tregut.

Në vitin 2006, enti i atëhershëm rregullator ndërhyri, duke rregulluar tarifat me pakicë, por shtysën e mirëfilltë konkurrenca e mori vetëm me hyrjen në treg të operatorit të tretë dhe të katërt. Megjithatë, në vitet e fundit, procesi i konsolidimit dhe përqendrimit në tregjet celulare nuk është i pazakontë dhe një tendencë e tillë është shfaqur edhe në vende të tjera. Ky treg kërkon investime të mëdha në vijimësi nga operatorët, për shkak të zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe konkurrencës.

Në një mjedis të tillë, operatorët me pjesë tregu të vogël, si “Albtelecom Mobile”, e kanë të vështirë të mbijetojnë dhe në fakt, ky operator ka qenë me humbje që nga fillimi i aktivitetit të vet. Një nga argumentet teorike në favor të përqendrimit të tregut mund të jetë një eficiencë më e lartë, që do të mbështeste më tej edhe një konkurrueshmëri më të madhe mes operatorëve të ngelur.

“4iG”, 354 milionë euro shtesë kapitali për zgjerimin në rajon

“4iG” është një kompani e listuar në Bursën e Budapestit, ndërsa aksioner kontrollues i kompanisë në mënyrë të tërthortë është biznesmeni hungarez, Gellert Jaszai, me 56.85% të aksioneve.

Sipas pasqyrave financiare të vitit 2020, kompania realizoi një xhiro totale në vlerën e afërsisht 160 milionë eurove dhe një fitim neto prej rreth 9 milionë eurosh. As niveli i kapitalizimit të shoqërisë nuk është shumë i madh, duke pasur parasysh investimet e mëdha që “4iG” po kryen jashtë vendit. Sipas raportit të fundit financiar, të shtatorit 2021, kapitali aksioner i shoqërisë kishte një vlerë prej më pak se 37 milionë eurosh.

Megjithatë, në janar të këtij viti, “4iG” njoftoi një operacion të zmadhimit të kapitalit, të gërshetuar edhe me hyrjen në kapitalin aksioner të “Rheinmetall”, kompani gjermane me aktivitet në sektorin e armatimeve, industrisë automotive dhe teknologjisë së informacionit. “Rheinmetall” do të marrë 25.1% të të drejtave në kapitalin e “4iG”, operacion që do të gërshetojë blerjen e aksioneve ekzistuese dhe nënshkrimin e aksioneve të reja, me qëllim rritjen e kapitalit të kompanisë.

Sipas informacionit zyrtar të “4iG”, zmadhimi i kapitalit të “4iG” do të ketë një vlerë prej 125 miliardë forintash hungareze, vlerë e barasvlefshme me rreth 354 milionë euro. Nga këto, rreth 221 milionë euro do të injektohen nga “iG COM Private Equity” Fund (fondi i Gellert Jaszai-t), 95 milionë euro nga “Rheinmetall” dhe pjesa e mbetur nga aksioneri i pakicës, “Alpac Capital”, një fond investimesh i regjistruar në Portugali dhe i angazhuar kryesisht në investimin në kapitalin e SME-ve.

“Wizz Air”, gjithnjë e më dominues në tregun e fluturimeve

“Wizz Air” është operatori i parë i mirëfilltë “low cost”, që nisi operimin në Shqipëri, në vitin 2017. Sidomos pas pandemisë, ky operator ka vendosur një dominim të dukshëm në tregun e fluturimeve në Shqipëri. Të dhënat e fundit finale vjetore nga Autoriteti i Aviacionit Civil i takojnë vitit 2020, kur tregu i fluturimeve ajrore u godit rëndë nga pandemia e COVID-19.

“Wizz Air” renditej e para mes kompanive ajrore që operojnë në Shqipëri, me 24% të numrit total të pasagjerëve. Të dhënat e pjesshme të vitit 2021 tregojnë se pjesa e tregut e “Wizz Air” ka ardhur në rritje të mëtejshme. Kështu, për muajin shtator 2021, pjesa e tregut e “Wizz Air” vlerësohej në 40% të numrit të përgjithshëm të pasagjerëve, ndërsa në tetor, ajo u rrit më tej në 54%. Për tetorin, kompania e dytë, “Air Albania” mbante vetëm 10% të tregut, çka dëshmon avantazhin e thellë të “Wizz Air” kundrejt konkurrencës.

Krahasuar me tetorin 2019, numri i pasagjerëve të “Wizz Air” është rritur me 555%. Në fillim të këtij viti, “Wizz Air” njoftoi edhe nisjen e fluturimeve nga Aeroporti i dytë ndërkombëtar i vendit, në Kukës. Duke filluar nga muaji qershor, “Wizz Air” do të nisë fluturime direkte nga ky aeroport me Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.

“Wizz Air” është një operator i themeluar në Hungari, i cili vazhdon t’i ketë zyrat qendrore në Budapest. Megjithatë, që prej vitit 2015, “Wizz Air” është kompani publike e regjistruar në Bursën e Londrës. Rreth 43% e aksioneve janë të listuara në bursë, ndërsa pjesa e mbetur ndahen kryesisht mes investitorëve institucionalë, si fonde investimesh (mutual funds), fonde të investimit në kapitalin e shoqërive private (private equity), etj. Aksioneri më i madh është “Indigo Partners”, një firmë e private equity nga SHBA.

Në dekadën e fundit, deri në fund të vitit financiar 2020 (i mbyllur në mars 2020), “Wizz Air” ka raportuar një rritje të vazhdueshme të xhiros. Për vitin 2020, shitjet totale arritën vlerën e 2.76 miliardë eurove, shifër pesë herë më e lartë krahasuar me vitin 2011. Ndërkohë, viti financiar 2021 (që mbarti më së shumti efektet e pandemisë, sepse përfshin periudhën prill 2020-mars 2021) shënoi rënie të fortë të shitjeve, në vlerën e 739 milionë eurove.

Pandemia dha një goditje të fortë edhe në përfitueshmërinë e kompanisë. Në vitin financiar 2020, kompania pati arritur një fitim rekord historik prej më shumë se 281 milionë eurosh në vlerë neto, ndërsa për vitin financiar 2021, gjendja e përmbys, me një humbje të thellë prej 576 milionë eurosh.

Në Hungari eksportojmë fasone, importojmë vaj dhe pajisje elektrike e mekanike

Hungaria është larg të qenët një partner shumë i rëndësishëm tregtar për Shqipërinë, megjithatë në vitet e fundit vërehet një rritje e volumit të këmbimeve tregtare, sidomos në eksporte. Sipas informacionit të INSTAT, për vitin 2021, Shqipëria eksportoi në Hungari mallra në vlerën e 2.33 miliardë lekëve, me një rritje vjetore prej 14.2%.

Rritja e eksporteve shqiptare drejt Hungarisë ka nisur sidomos pas vitit 2015. Nëse për periudhën 2005-2014, vlera mesatare vjetore e eksporteve drejt Hungarisë ishte rreth 85 milionë lekë në vit, për periudhën 2005-2021, vlera mesatare e eksporteve arriti në rreth 2.4 miliardë lekë në vit.

Po të shohim ndarjen e eksporteve, sipas produkteve, duket se rritja e tyre i detyrohet kryesisht produkteve të sektorit të fasonerisë. Për vitin 2021, 66% e eksporteve drejt Hungarisë ishin këpucë dhe 18% veshje. Produktet bujqësore dhe bimët mjekësore zinin së bashku rreth 9% të eksporteve, ndërsa pjesa e mbetur konsistonte kryesisht në mobilie dhe nënprodukte alumini.

Vitin e kaluar, edhe importet nga Hungaria shënuan rritje vjetore me 29.5% dhe arritën vlerën totale të rreth 5.5 miliardë lekëve. Ky është niveli më i lartë i importeve nga Hungaria që prej vitit 2008. Në dekadën e fundit, vlera mesatare vjetore e importeve hungareze ka qenë pranë nivelit të 4.6 miliardë lekëve. Bazuar në të dhënat e vitit 2021, produktet kryesore që Shqipëria importon nga Hungaria janë vaji vegjetal, me 19% të importeve totale, i ndjekur nga makineritë e pajisjet mekanike me 10%, makineritë e pajisjet elektrike me 9%, kafshët e gjalla me 7%, etj.

Në terma relativë, pesha e Hungarisë në tregtinë e jashtme të Shqipërisë është mjaft e vogël. Vitin e kaluar, eksportet drejt Hungarisë përbënin vetëm 0.6% të totalit, ndërsa importet nga Hungaria, vetëm 0.7% të totalit./Monitor/

Top Channel