Zjarri në traget, qindra makina Porsche mbetën mes flakëve. Ylli i Youtube zbulon telefonatën e tregtarit

18/02/2022 14:17

Në anijen që u përfshi nga flakët kishte edhe automjete që po transportoheshin por mbetën mes zjarrit teksa ekuipazhi u largua me urgjencë. Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por dyshohet se flakët nisën nga një kamion frigoriferik.

Ndër të tjera, një ndër makinat që besohet se janë në anije është një Porsche 718 Spyder që i përket yllit të YouTube, Matt Farah.

Ai ka reaguar në Twitter duke shkruajtur: “Sapo mora një telefonatë nga tregtari im. Makina ime tani ndoshta është përfshirë nga zjarri në mes të oqeanit”.

Një tjetër reagim i Porsche, që kishte qindra makina në anije iu referua incidentit, por nuk jepte detaje për këtë çështje: “Ne jemi në dijeni të një incidenti në bordin e Felicity Ace, një anije e specializuar mallrash që transportonte disa automjete Porsche. Do t’ju ofrojmë informacion shtesë se si kjo ndikon tek ju, sapo të kemi informacion shtesë dhe të dimë shtrirjen e plotë të problemit”.

Ndërsa grupi i markës Volkswagen e pranoi incidentin duke dhënë një deklaratë: “Ne jemi në dijeni të një incidenti që përfshin një anije mallrash që transportonte automjete të grupit Volkswagen përtej Atlantikut. Për momentin, nuk kemi dijeni për ndonjë lëndim. Ne po punojmë me autoritetet lokale dhe kompaninë e transportit për të hetuar shkakun e incidentit.”

Ndër të tjera, vijon ende të dalë tym nga trageti dhe mbeten rreth 14 persona të zhdukur. Kjo është bërë e ditur nga numërimi i personave të tjerë që kishin hipur në varkat e shpëtimit. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon ende për të gjetur pasagjerët e zhdukur ndërsa 2 mësohet se janë bllokuar brenda anijes.

Në bordin e anijes ndodheshin 290 persona. Sapo është përfshirë nga flakët, kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit.Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.

Top Channel