RT: “Ikni tani”, urdhërohet evakuimi i civilëve nga rajoni lindor ukrainas!

18/02/2022 18:47

“Trupat ukrainase kanë marrë furnizime të bollshme armësh nga vendet perëndimore dhe janë të gatshme për të luftuar e për të marrë me forcë rajonin e Donbasit”, kryeministri i rajonit lindor ukrainas të Donjeckut, Denis Pushilin citohet nga mediat ruse të ketë bërë një deklaratë të tillë , duke theksuar gjithashtu se forcat ukrainase po presin urdhrin e presidentit Volodymir Zelensky për një ofensivë në këtë zonë “në një të ardhme të afërt”.

Ushtarët e tyre janë përgatitur për betejë, por civilët në rajonet e kontrolluara nga rebelët rrezikojnë shumë, sepse mund të gjenden mes shkëmbim zjarri, paralajmëroi Pushilin. Për këtë arsye, tha ai, nisur nga sot 18 shkurt, është organizuar një evakuim masiv i njerëzve drejt federatës ruse. Pushilin shtoi se kategorive më të cenueshme si fëmijët, gratë dhe të moshuarit, do t`i jepët përparësi.

Zyrtarët rusë në rajonin fqinjë të Rostovit presin një fluks të evakuarish, dhe do t`u sigurojnë atyre çdo gjë që u nevojitet.

Njerëzit u nxitën që të mos i injorojnë paralajmërimet dhe “të marrin vendimin e duhur”, teksa u nënvizua se lëvizja do të jetë e përkohshme dhe mund të shpëtojë shumë jetë.

Deklarata u lëshua pasi vëzhguesit e OSBE-së, të dërguar në Ukrainën Lindore për monitorimin e situatës atje, raportuan se këtë javë, ka pasur rritje të ndjeshme të tensioneve e përplasjeve.

Top Channel