Kryebashkiakja Sako: Në Sukth zyrë e re këshillimi për familjet në nevojë, në godinat që po rindërtohen apartamente shtesë për banesa sociale

18/02/2022 09:22

Në Sukth do të ketë një zyrë të re këshillimi dhe shërbimesh për familjet në nevojë, kështu ka deklaruar kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako që ka zhvilluar një takim me familje në nevojë në njësinë administrative të Sukthit.

Kryebashkiakja Sako ka bashkëbiseduar dhe është njohur me nevojat që kanë këto familje ndërkohë që deklaroi se bashkia ofron një sërë shërbimesh për njerëzit në nevojë dhe një nga këto është edhe zyra e re e këshillimit në këtë njësi. Duke shpjeguar mënyrën se si do të funksionojë kjo zyrë, Sako tha se aty do të trajtohen raste të familjeve në nevojë, të fëmijëve apo të rritur që kanë nevojë për këshillimin e psikologut, apo dhe problematika të ndryshme sociale. Në sajë të kontributit të bashkisë si dhe donatorëve të huaj zyra pritet të ngrihet shumë shpejt.

Kryebashkiakja Sako ka biseduar me këto familje edhe për një program tjetër, atë të strehimit. Në pallatet e reja që po rindërtohen si dhe në dy lagjet e reja në Manëz dhe Spitallë do të ketë apartamente shtesë, të cilët do të jepen me qera të ulët për familjet në nevojë dhe të pastreha.

Bashkia e Durrësit e ka si një nga prioritetet e saj edhe strehimin për familjet në nevojë e të pastreha. Aktualisht kjo bashki ka disa programe të strehimit si social si banesa sociale me qera ku janë srehuar 342 familje në pallatet e ndërtuara për këtë qëllim në lagjen 17 dhe në Shkozet, kredinë e lehtësuar me 3 % ku vetëm në vitin 2021 përfituan 345 familje, bonus strehimi 50% të cilin vitin e kaluar e përfituan 107 familje si dhe grantin e menjëhershëm.

Top Channel