Gjenden dy persona të bllokuar brenda tragetit që u përfshi nga flakët, dëgjohen shpërthime

18/02/2022 10:07

Detaje të reja për tragetin e linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia’ që u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa raportohet për 11 persona të zhdukur.

Dy persona janë gjetur të bllokuar brenda dhe po përpiqen t’i nxjerrin ndërsa dëgjoheshin shpërthime nga garazhi i anijes.

Në bordin e anijes ndodheshin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit.Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.

Ndërkaq, janë nisur në ndihmë dy anije te rojës bregdetare shqiptare dhe një rimorkitaor. Operacioni i shpëtimit ndiqet nga grekët ndërsa forcat tona janë në ndihmë duke qëndruar në largësi të anijes. Sipas përfaqësuesve të forcave të armatosura, anijet shqiptare janë në gatishmëri dhe në ndërhyrje të shpejtë. Deri tani nuk ka qenë nevoja e ndërhyrjes. Anija është zhvendosur dhe ndodhet midis Himarës e Portopalermos.

Prej një ore trageti në flakë ka hyrë 0,5 milje në ujërat shqiptare. Ngjarja ka ndodhur 9 milje nga bregu jashtë ujërave tona, ndërsa po koordinohet puna nga Flota Detare, QNOD dhe Kapiterita e Përgjithshme e Porteve dhe po monitorohet situata në çdo moment.

Lexoni detajet këtu: Shkrumbohet nga flakët trageti i linjës Greqi-Itali me 239 pasagjerë! Raportohet për 11 të zhdukur

Top Channel