Kryebashkiakja Sako: Fokusi i Bashkisë gjithëpërfshirja sociale, Durrësi do të ketë dy biblioteka të tjera në lagjen 4 dhe lagjen 17

17/02/2022 09:35

Në librarinë “Redon” të Durrësit është zhvilluar një aktivitet i veçantë për të promovuar librin “Katitzi” të shkrimtares së njohur suedeze Katarina Taikon, përkthyer nga Sokol Demaku, i cili është një libër mjaft i njohur që trajton fenomenin e diskriminimit të fëmijëve me ngjyrë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Håstad, përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian, shkrimtarë, mësues e nxënës.

Edhe pse është një libër për fëmijë, mesazhi që ai përçon është mjaft aktual: të gjithë fëmijët janë njësoj dhe kanë të drejta të barabarta për edukim dhe integrim në shoqëri. Libri ‘Katitzi’ i cili trajton historinë e një fëmije rom, ka patur mjaft jehonë dhe një sukses të madh në Suedi. Kryebashkiakja Sako pasi vlerësoi mesazhin e mprehtë social që përcjell ky libër dhe vlerat e tij edukative deklaroi se fenomeni i diskriminimit social për shkak të ngjyrës ndeshet ne jetën e përditshme ndaj Bashkia e Durrësit e ka në fokus të punës së saj gjithëpërfshirjen sociale.

Sako u shpreh se për të adresuar më mirë këtë fenomen social, në Bashkinë Durrës është funksionale Drejtoria e Shërbimit Social, ku një pjesë e stafit të saj merret vetëm me trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave të komunitetit Rom dhe Egjiptian. Ndër të tjera, kjo drejtori merret edhe me sigurimin e integrimit në shoqëri të fëmijëve të këtij komuniteti njëlloj si të gjithë fëmijët e tjerë.

Gjithashtu, në zonën ku është përqendruar më së shumti komuniteti Rom, në Nishtulla, ushtron veprimtarinë e saj edhe Qendra Komunitare Multifunksionale, në të cilën ofrohet këshillim psikologjik individual dhe në grup, mbështetje psiko-sociale për individë dhe familje të margjinalizuara etj. Po kështu, në këtë qëndër ofrohet edhe shërbimi ditor për fëmijët parashkollorë si edhe ofrohen edhe vakte ushqimore për afro 350 fëmijë dhe të rritur, por falë edhe ndihmave nga donatorët e huaj trajtohen afro 1700 banorë të këtij komuniteti.

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Håstad deklaroi se e kishte ëndërr që të prezantonte në Shqipëri këtë rrëfenjë fantastike dhe se ky është një libër që ka ndyshuar brezin e saj, një libër – shtoi ajo – që na bëri të gjithëve ne që të ëndërrojmë që një ditë të bëhemi si vajza rome Katitzi. Komuniteti rom në Suedi ka qenë i diskriminuar prej qindra vitesh – deklaroi Hastad – por vetëm në vitet 50-60 ai filloi të shihej ndryshe, nisi integrimi dhe ata fituan të drejtat e tyre.

Kryebashkiakja Sako deklaroi gjithashtu se leximi i sa më shumë librave jo vetëm që zgjeron horizontin e fëmijëve, por i bën ata edhe më të ndërgjegjshëm rreth botës e shoqërisë ku jetojnë si edhe rreth fenomeneve të ndryshme shoqërore. Sako u shpreh se në kuadër të nxitjes së interesimit ndaj të lexuarit, Bashkia e Durrësit do të ngrejë dy biblioteka të tjera që do të funksionojnë në dy zona të ndryshme të qytetit, njëra nga bibliotekat do të jetë pikërisht tek godina e Banesave Sociale, në Lagjen nr. 17, ndërsa biblioteka tjetër do të jetë tek një godinë në Lagjen nr 4.

Gjithashtu në funksion të shtimit të interesit për librin, në hapësirat publike të Durrësit janë vendosur disa ‘shtëpiza të librit’ me qëllimin që të forcohet akoma më shumë lidhja e qytetarëve me librin. Në këto ‘shtëpiza’ çdokush mund të marrë falas një libër për ta lexuar atë, por duke lënë aty si shkëmbim një libër tjetër duke e vazhduar kështu me radhë këtë ritual të të lexuarit. Kjo nisëm do të rizgjojë dëshirën për të lexuar tek të gjitha qytetarët, përfshirë këtu fëmijët edhe të rinjtë e grup-moshave të ndryshme.

Në promovimin e librit suedez fëmijët lexuan pjesë të librit si dhe ekspozuan pikturat e tyre me temë kundër diskriminimit social për shkak të ngjyrës duke dhënë mesazhe të rëndësishme jo vetëm për moshën e tyre por për të gjithë shoqërinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA