16 vida dhe 6 pllaka për të rregulluar mollëzën, por te Barça i druhen sulmuesit nigerian

17/02/2022 12:31

Dje, tifozët e Napolit morën një lajm të keq: Osimhen nuk ishte stërvitur me grupin një ditë para takimit me Barcelonën.

Në fakt, ishte lajm shumë i mirë për “blaugranat”, që e konsiderojnë lojtarin më të rrezikshëm kundërshtar. Prania e nigerianit bën diferencën te skuadra e napolitane. Shifrat flasin shumë qartë: ish-lojtari i Lille ka shënuar, që nga mbërritja e tij në Italinë e Jugut, 20 gola në 48 ndeshje (3102 minuta të luajtura), duke realizuar çdo 155 minuta.

Presidenti De Laurentiis, në mes të një pandemie, shpenzoi rreth 50 milionë për të siguruar shërbimet e tij, duke e bërë atë nënshkrimin më të shtrenjtë në historinë e klubit. Mirëpo dëmtimet e kanë zbehur talentin e tij mbresëlënës. Vitin e kaluar, ai mungoi tre muaj me një problem serioz në shpatull, dëmtim që e pësoi në një ndeshje me kombëtaren e tij, Nigerinë.

Këtë sezon, ai ishte jashtë fushës midis nëntorit dhe janarit. Gjatë përplasjes me Skriniarin e Interin, kockat e mollëzës iu bënë copash. U deshën gjashtë pllaka dhe 18 vida për të shëruar frakturat e tij, të cilat e detyruan të tërhiqej nga Kupa e Kombeve të Afrikës. Sapo u kthye, me një maskë mbrojtëse, Osimhen ishte sërish vendimtar. Një gol i mrekullueshëm me Venecian, një penallti e fituar me Interin dhe tani radha e Barçës. Spalletti siguroi se e ndaloi për masë paraprake dhe se do të vendosë sot për aktivizimin e tij. Një Napoli pa forcën dhe shpejtësinë e tij do të ishte më pak i frikshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA