Një nga diamantet blu më të vlefshme që është paraqitur ndonjëherë në një ankand mund të shitet për më shumë se 48 milionë dollarë, sipas Sotheby’s.
I quajtur “The De Beers Cullinan Blue”, është diamanti blu më i madh në botë prej 15,10 karatësh.
Duke e përshkruar diamantin si “jashtëzakonisht të rrallë”, Sotheby’s shtoi se vetëm pesë gurë të çmuar mbi 10 karat janë shfaqur në ankand.
Asnjë nuk ka qenë ndonjëherë mbi 15 karat, “duke e bërë pamjen e kësaj perle të përsosur një ngjarje historike në vetvete.”
Diamanti i rrallë u gjet në minierën Cullinan në Afrikën e Jugut, në vitin 2021 dhe ka arritur renditjen më të lartë, sipas standardeve me të cilat gjykohen diamantet me ngjyra.
Guri i çmuar ka pamje të jashtëzakonshme dhe është i tipit IIb, që do të thotë se përmban bor dhe për këtë arsye ka një nuancë gri, sipas faqes së internetit të GIA . Më pak se 0.5% e diamanteve janë pjesë e një kategorie të tillë, thuhet në deklaratën për shtyp.
“Diamantet blu të çdo lloji janë të rrallë në treg, por ky është më i rralli nga të rrallët; asgjë e kalibrit të ngjashëm nuk është shfaqur në ankand vitet e fundit”, tha në deklaratën për shtyp Patti Wong, kryetare e Sotheby’s Asia.
“Qindra milionë vite në prodhim, ky diamant i jashtëzakonshëm blu është padyshim një nga krijimet më të mira të natyrës. Tani i sjellë në jetë nga dora e një prej prerësve më të aftë në botë, është kryevepra e fundit, aq e rrallë dhe e dëshiruar si veprat më të mëdha të artit.”
Diamantet blu janë të lakmuar për shkak të rrallësisë dhe ngjyrës së tyre mahnitëse.
Miniera Cullinan ka prodhuar një sërë gurësh të çmuar, duke përfshirë diamantin Cullinan 3,106 karatësh të zbuluar në vitin 1905, i cili është diamanti më i madh i regjistruar ndonjëherë, sipas Muzeut të Diamanteve të Cape Town në Afrikën e Jugut.
“Hëna Blu e Josephine ” është një diamant blu 12.03 karatësh që u shit për 48.4 milionë dollarë në vitin 2015. Ajo ende mban rekordin e ankandit për çmimin për karat të çdo diamanti apo guri të çmuar.
Zbulime të tjera të kohëve të fundit përfshijnë “The Sakura”, një diamant vjollcë-rozë 15,81 karatësh që u shit për 29,3 milionë dollarë në Christie’s në maj të vitit të kaluar.
“The De Beers Cullinan Blue” është planifikuar të dalë në ankand në Sotheby’s Hong Kong Luxury Week në fund të prillit.
Top Channel