Ndotja e lumenjve botërorë nga ilaçet dhe produktet farmaceutike po kthehet në një “kërcënim madhor për mjedisin dhe për shëndetin e njerëzve”.
Në këtë përfundim del një studim i realizuar nga shkencëtarë të Universitetit i Jorkut, i cili evidenton dhe mbetjet me problematike, që duket se janë ato të paracetamolit, nikotinës, kafeinës dhe medikamenteve të epilepsisë e diabetit.
Më e madhe, ndotja rezulton të jetë në lumenjtë e Pakistanit, Bolivisë dhe Etiopisë, por fenomeni konsiderohet gjithmonë e më shqetësues edhe për rajone të tjera. më të pastër janë lumenjtë në Islandë, Norvegji dhe zonën e Amazonës.
Pavarësisht hulumtimeve, shkalla e ndikimit që kanë komponentët farmaceutikë në mjedis, nuk njihet ende plotësisht. Por është mësuar tashme ndikimi që kanë në zhvillimin dhe prodhimin e peshqve, ndërsa shkencëtarët druhen se rritja e pranisë së antibiotikëve në lumenj mund të kufizojë efektin e ilaçeve.
Për realizimin e këtij studimi u morën kampione nga 1,000 rajone në më shumë se 100 shtete. Në përgjithësi, rezulton se një e katërta e 258 lumenjve kanë në ujrat e tyre “përbërës aktivë farmaceutikë”, në nivele që konsiderohen jo të sigurta për organizmat ujorë.
Në raport është thënë se rritja e prezencës së antibiotikëve në lumenj mund të çojë në zhvillimin e baktereve rezistente, duke dëmtuar kështu efektin e ilaçeve dhe duke kërcënuar shëndetin global.
Top Channel