A mund ta ketë varianti Omicron i koronavirusit origjinën nga kafshët?

15/02/2022 17:49

Në kohën kur varianti Omicron i koronavirusit u identifikua në Afrikën Jugore në muajin nëntor të vitit të kaluar, studiuesit që e gjurmuan atë, vunë re menjëherë diçka të çuditshme.

Omicron kishte gati 50 mutacione në krahasim me versionin e koronavirusit që u shfaq në fund të vitit 2019 në Kinë dhe rreth 40 prej tyre përfshinin  proteinën spike, e cila përdoret nga virusi për t’u lidhur me qelizat, në mënyrë që t’i shmanget mbrojtjes së tyre dhe nga ana tjetër për t’i shfrytëzuar këto të fundit që të riprodhohet.

Numri i madh i mutacioneve, shumë më i madh se ato të zbuluara në variantet e mëparshme (Alfa, Beta, Gama dhe Delta) ka nxitur disa grupe shkencëtarësh të pyesin se cila është origjina e Omicron. Zbulimi i origjinës nuk është një çështje e parëndësishme, por mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për të kuptuar më mirë se si evoluon koronavirusi SARS-CoV-2, duke ofruar informacion të vlefshëm se si mund të vazhdojë pandemia.

Kërkimet janë ende në vazhdim dhe ka disa hipoteza kontradiktore mbi origjinën e Omicron, tashmë i përhapur në mbi 120 vende, si dhe shkaktarë kryesor i përhapjes së një vale të re epidemike.

Megjithatë, javët e fundit, ka pasur shumë diskutime në lidhje me një hipotezë në veçanti, sipas së cilës numri i madh i mutacioneve të Omicron, mund ta ketë origjinën pas kalimit të virusit nga njerëzit tek kafshët dhe e kundërta nga kafshët përsëri tek njerëzit.

Origjina shtazore

Gjatë dy viteve të pandemisë, SARS-CoV-2 ka treguar se ka një ndryshueshmëri të caktuar dhe është në gjendje të infektojë shumë specie. Koronavirusi është zbuluar tek kafshët shtëpiake si macet dhe qentë, te hipopotamët, leopardët dhe macet e tjera të mëdha, si dhe lloje të ndryshme kafshës të tjera.

Studimet e fundit të botuara në fund të vitit 2021 në Journal of Genetics and Genomics thonë se sasia dhe lloji i mutacioneve që prekin Omicron mund të shpjegohet me faktin se ky variant ka evoluar në specie të tjera nga e jona.

Hipoteza është se një version i koronavirusit në një moment të caktuar ka kaluar nga një person i infektuar tek një mi dhe më pas ky variant i është nënshtruar mutacioneve të ndryshme përpara se të transmetohej përsëri tek njeriu. Kjo është një hipotezë që ka ngjallur shumë interes edhe pse deri më tani nuk detaje që mund të tregojnë se si mund të ketë ndodhur procesi i fundit apo hapi i fundit.

Siç kanë treguar edhe studimet e fundit koronavirusi është zbuluar edhe tek ujërat e zeza dhe u faktua përmes analizave të mostrave të marra, të cilat kryhen në mënyrë periodike në shumë vende, pikërisht për të vlerësuar përhapjen e virusit në zona të caktuara gjeografike.

Minjtë shpesh jetojnë nëpër kanalizime dhe mund të jenë infektuar në këtë mënyrë. Një infeksion më i gjatë se zakonisht në një ose më shumë kafshë të tilla mund të ketë favorizuar evolucionin e koronavirusit drejt Omicron. Miu i infektuar mund të ketë kontaktuar me ndonjë person, duke shkaktuar kështu përhapjen e variantit të ri.

Infeksioni i gjatë

Jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur nga kjo hipotezë. Omicron u identifikua në nëntor, por studimet e kryera tregun se virusi kishte qarkulluar në fund të shtatorit 2021. Në Afrikën e Jugut, një nga vendet e para që e identifikoi atë, u gjurmua në një zonë me popullsi të dendur mes qyteteve Pretoria dhe Johanesburg, përpara se të përhapej në pjesë të tjera të vendit dhe në Botsvanën fqinje.

Përveçse është mjaft e madhe, zona në të cilën u identifikua përfshin një aeroport të madh, aeroportin ndërkombëtar të Johanesburgut dhe për këtë arsye nuk mund të përjashtohet që Omicron ishte i pranishëm në ndonjë pjesë tjetër të botës dhe më pas ka mbërritur në Afrikën e Jugut përmes ndonjë udhëtari të infektuar.

Procesi intensiv i mutacionit që çoi në lindjen e Omicron mund të ketë ndodhur pa u vënë re në një zonë të botës përveç asaj të Afrikës Jugore, ndoshta ku nuk kryhen shumë kontrolle dhe mbi të gjitha analizat gjenetike e mostrave të marra nuk kryhen me analiza për të kontrolluar pozitivitetin ndaj koronavirusit. Megjithatë kjo hipotezë ka marrë disa kritika, sepse duket e pamundur që kaq shumë mutacione të jenë grumbulluar në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, pa u zbuluar në zona të tjera ku bëhen më shumë analiza dhe ku mund të ketë kaluar një person i infektuar.

Një teori alternative e diskutuar javët e fundit ka të bëjë me mundësinë që mutacionet të kenë ndodhur tek një person me infeksion kronik të koronavirusit, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore, siç janë disa mangësi në sistemin imunitar. Virusi prej javësh në mos muaj ka vazhduar riprodhimin tek personi i infektuar, duke u përballur gradualisht me një gamë të madhe mutacionesh të rastësishme, disa prej të cilave mund të kenë ndihmuar më vonë për të shmangur mbrojtjen e sistemit imunitar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA