Vidhnin të dhënat bankare të qytetarëve për të blerë produktet online, arrestohet e reja në Tiranë, nën hetim një tjetër

14/02/2022 09:08

Policia e shtetit ka finalizuar një tjetër operacion policor lidhur me veprimtarinë kriminale në fushën e krimeve kibernetike, ndërsa ka vënë në pranga një shtetase dhe ka proceduar penalisht bashkëpunëtoren e saj.

Në prangat e policisë ka përfunduar një 33-vjeçare, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Mësohet se J.M., ka përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë “vjedhur” nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje telefonike.

Sakaq, blutë e Tiranës po hetojnë edhe bashkëpunëtoren e 33-vjeçares, bëhet fjalë për M.M., 35 vjeçe. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesat e dy personave në fjalë, dy telefona celularë të markës iPhone, karta të ndryshme, dokumente dhe fatura bankare.

Nga hetimet e deritanishme J. M. ka kryer blerje në shumën rreth 1.700.000 lekë, ndërkohë dyshimet janë se ka kryer dhe blerje të tjera në kompani të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.

Njoftimi i policisë:

Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore, në Departamentin e Policisë Kriminale, pasi ka marrë kallzimin nga një kompani e telefonisë së lëvizshme, ka kryer hetime të plota dhe të shpejta për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Pas kryerjes së hetimeve ka rezultuar se një shtetase, në bashkëpunim me një shtetase tjetër, brenda dhe jashtë territorrit të Republikës së Shqipërisë, ka përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë “vjedhur” nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.

Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kibernetike finalizoi operacionin policor të koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit arrestoi në flagrancë, gjatë marrjes së pajisjes, shtetasen:

– J. M., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u procedua në gjendje të lirë dhe shtetasja:

– M. M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet si bashkëpuntore në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesat e këtyre dy shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– Dy telefona celular të markës iPhone;
– Karta të ndryshme;
– Dokumente dhe fatura të ndryshme bankare.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasja J. M. ka kryer blerje në shumën rreth 1.700.000 lekë, ndërkohë dyshimet janë se ka kryer dhe blerje të tjera në kompani të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA