“Ikën në mënyrë të rrufeshme”/ Gazetari Muhamed Veliu rrëfen momentin kur takoi ushtarët e listës së zezë ruse

14/02/2022 22:37

Gazetari Muhamed Veliu i ftuar këtë të hënë në Open rrëfen momentin kur intervistoi ushtarët që ishin pjesë e listës së zezë të Rusisë për t’u eleminuar, ndërsa ishte me ekipin e Top Channel në frontin e luftës në Ukrainë.

Referuar pyetjes se sa shqiptarë jetojnë në Ukrainë, Veliu tha se janë 10 shtetas shqiptarë që punojnë për OSBE-në.

Ai gjithashtu ka arritur të kontaktojë me Emanuel Bazanjin, ish ushtarak i Forcave të Armatosura, aktualisht pjesë e ushtrisë së Ukrainës dhe me Alban Calin, i riu që kishte shkuar si student në Ukrainë dhe kishte nisur një jetë të re atje.

“Sipas ministres Xhaçka janë 10 shtetas shqiptarë që punojnë për OSBE, dy prej të cilëve arrita të kontaktoja. Ata monitorojnë që zonat e pushtuara për zbatimin e armëpushimit, se rregulli ishte nëse merrni tre goditje nga Rusia, Ukraina i përgjigjej vetëm me një. Alban Cali ishte shqiptari tjetër me të cilin kontaktova, ai punonte si menaxher shitjesh në një kompani. Pastaj janë një grup prej 5 mijë shqiptarësh të cilët ruajnë traditën. Emanuel Bazanji, ish ushtarak i Forcave të Armatosura, i është përgjigjur ushtrisë së Ukrainës. Ka nisur një procedim penal për të pas një interviste në Top Channel, si luftëtar shqiptar në një territor të huaj. Ai më tha se tashmë është në proces të marrjes së nënshtetësisë ukrainase. Mamuka merret me stërvitjen e të huajve. Ata janë subjekte të ushtrisë ruse për t’i eliminuar, janë në black list për t’u eliminuar nga rusët, ka qenë një takim vetëm 10 minuta, pastaj ata ikën në mënyrë të rrufeshme”, tha Veliu.

Ushtaraku shqiptar Emanuel Bazanji është përfshirë në stërvitjen e civilëve në një bazë ushtarake në Kiev. Kurse Alban Cali është një nga shqiptarët që ende ndodhet në Ukrainë, por ka në plan të largohet në ditët në vijim, teksa vendi është çdo ditë e më i rrezikuar nga pushtimi i mundshëm rus.

Ukraina dhe Rusia ndodhen në një situatë të pazakontë, ndërsa javët e fundit gjendja është tensionuar. Mbi 100 mijë ushtarë rus janë pozicionuar në kufi të Ukrainës të ndarë në tre fronte, ndërsa vetëm një urdhër nga Putin mund të sjellë luftë.

Gjatë zhvillimeve të fundit, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i sugjeroi Presidentit Vladimir Putin që Moska të vazhdojë rrugën diplomatike në përpjekjet e saj për të marrë garanci nga Perëndimi.

Lavrov i tha Putinit se Shtetet e Bashkuara kishin paraqitur propozime konkrete për reduktimin e rreziqeve ushtarake, por tha se përgjigjet nga Bashkimi Evropian dhe aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishin të kënaqshme.

Lavrov tha se kishte marrë përgjigje “të pakënaqshme” për një letër që ai u dërgoi dhjetëra anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për çështjen e “sigurisë së pandashme”, një referencë për ankesën e Rusisë se Ukraina dhe vendet perëndimore po forcojnë sigurinë e tyre në kurriz të Rusisë dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky lëshoi një deklaratë ku shprehu frikën për mundësinë e një pushtimi të Ukrainës më 16 shkurt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA