Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të një postimi në rrjetin social facebook bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, teksa thekson se sot kanë arritur në mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti Covid.
Ai përmend edhe donacionin prej 515,970 dozave shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Postimi i kryeministrit Kurti në Facebook:
Sot kemi shënuar mbi 1.8 milionë doza të vaksinës anti-COVID të administruara në Republikën e Kosovës, ndërsa gati 900,000 qytetarë janë vaksinuar me të paktën një dozë. Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues.
Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë. Për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë; në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA. Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19.
U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të marrin dy dozat e para sa më shpejt. Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para. Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Me kujdes të shtuar, bashkë do t’ia dalim.
Top Channel