Një 47-vjeçar është ekzekutuar këtë të diel në mbrëmje në fshatin Grudë e Re të Shkodrës.
Viktima është identifikuar si shtetasi Prekë Tonaj, punonjës i Ujësjellësit.
Tonaj ndodhej në lokalin në qendër të fshatit, kur një person i paidentifikuar, rreth orës 19:15 ka hapur zjarr ndaj tij. Ai u qëllua disa herë dhe për pasojë nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Autori ka shfrytëzuar errësirën në zonë për të qëlluar shenjestrën e tij dhe për t’u larguar nga vendngjarja.
Nuk ka ende asnjë informacion për shkaqet e kësaj vrasjeje, por raportohet se viktima është qëlluar disa herë me arme zjarri.
Policia ka ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e fshatit.
Prekë Tonaj, 11 vite më parë u arrestua për tentativë vrasjeje. Sipas policisë, 47-vjeçari tentoi të kryente një vrasje për hakmarrje, por përfundoi në prangat e policisë së bashku me dy të tjerët në fshatin Vuksan të Shkodrës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 13.02.2022, rreth orës 19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. T., 47 vjeç, banues në Grudë, Shkodër.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.
Top Channel