Dinamo jashtë Kupës së Shqipërisë, blutë nuk ja dolën në përballjen e dyfishtë me Partizanin, ku për ta bërë më të hidhur eliminimin mendoi Xhuliano Skuka, 23 vjeçari që deri para pak javësh ishte pjesë e Dinamos ku u konsiderua i panevojshëm.
Debutim i hidhur për Bledar Devollin që vetëm para pak ditësh kishte marrë drejtimin, ndërkohë që dalja nga kompeticioni zyrtarizon edhe një sezon pa trofe për 18 herë kampionët e vendit, e sipas të gjitha gjasave edhe pa pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.
Me vetëm 19 pikë në kampionat, 15 pikë larg treshes së parë dhe mbi të gjitha me 6 skuadra që duket më të mirë pajisura në klasifikim, gjetja e një dritareje europiane nga kampionati duket e pamundur. Megjithatë, në kampin blu kanë shumë për të luftuar.
Pikë së pari mbijetesa, me Dinamon vetëm 3 pikë larg zonës së ftohtë, nevojitet shumë grintë për të mos u përfshirë në një vorbull të rrezikshme, ku lufta po bëhet gjithnjë e më e fortë. Egnatia, Skënderbeu dhe Kastrioti po shfaqen luftarake dhe skuadrës së Devollit i duhet një marsh më tepër për të mos rritur oreksin e ndjekësve.
Me mbijetesën si objektiv minimal, trajneri ndërkohë mund të punojë për sezonin e ardhshëm. Ky aktuali nisi me pritshmëri maksimale, por ndoshta edhe të tepruara për një skuadër që kërkonte gjithçka menjëherë në ngjitjen në elitë, pavarësisht investimeve në merkato.
Koha është një element i rëndësishëm në futboll, dhe tanimë te Dinamo mund të punojnë më të qetë në këtë drejtim. Disa muaj për të konsoliduar skuadrën dhe njëkohësisht prove për lojtarët në aspektin individual, për të ndarë në gjuhën popullore shapin nga sheqeri, se cili prej tyre vlen në të ardhmen për projektin ambicioz të Dinamos.
Top Channel