Pas 5 orësh debate dhe diskutime të shumta në seancën e sotme plenare, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë nisur votimin për zgjatjen e afateve të vettingut, ndërsa LSI ka braktisur seancën.

Monika Kryemadhi ka folur pasi ka dalë nga Kuvendi dhe u shpreh se ka votuar abstenim për zgjatjen e afateve të vettingut dhe reformën territoriale dhe ka votuar pro për reformën zgjedhore.

Kryemadhi zbuloi se pro zgjatjes së mandatit të organeve të drejtësisë ka votuar vetëm deputeti Agron Çela.

Më tej, kryetarja e LSI-së u shpreh se është enigmatike se si kryedemokrati Basha ndryshoi mendim në vetëm një orë lidhur me vendimmarrjen në Kuvend.

“PD nuk mori pjesë në asnjë mbledhje, as në hartimin e oponencave, e bojkotoi edhe u largua. Është dyshues ndryshimi për një orë nga kundra në pro. Bëj thirrje gjithë shoqërisë shqiptare që duhet të shkëputemi një herë e gjithmonë nga shitja e votës së qytetarëve. Nëse ka probleme me drejtësinë, me drejtësinë europiane, antimafia, nuk mendoj që vota e deputetëve të ndryshoj brenda një ore.

Shqiptarët çdo ditë e më shumë po ndihen të varfër dhe të pa respektuar! Nuk mund të jetë e shenjtë një godinë e tillë, se si mund të falsifikohet firma e ish kryetarit të parlamentetit.Unë votova abstenim, vazhdojmë të kërkojmë të bëhet një analizë e reformës në drejtësi! Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë peng i një grupi të kapur nga qeveria. Zoti Çela ka votuar pro, unë abstenova. Kur PD ndryshon mendim brenda një orë s’ka pse të mos votojë pro Çela. Vendimi ynë ka qenë për abstenim. Unë kam votuar abstenim për reformën territoriale dhe pro për reformën zgjedhore”, u shpreh Kryemadhi.

Top Channel