I dërguari I Top Channel në Ukrainë Muhamed Veliu nga rajoni Luhansk për edicionin e lajmeve të orës 19:30 raportoi se Komanda qëndrore e ushtrisë së Ukrainës ka nisur sot një stërvitje masive të koduar me emrin ‘Blizzard 2022’ në disa rajone të Ukrainës. Programi stërvitjes synon trajnimin e trupave për një skenar të mirëfilltë lufte.
Kjo stërvitje vjen edhe si përgjigje ndaj Rusisë e cila sot në Bjellorusi nisi një stërvitje masive me armë të rënda luftarake. Ekspertë të këtushëm të çështjeve të sigurisë thonë se kjo stërvitje e ushtrisë ukrainase mund të shihet dhe përdoret si pretekst nga Rusia për të sulmuar Ukrainën.
I pyetur nëse brenda Rusisë, ka zëra që e kundërshtojnë Vladimir Putin në iniciativën për të sulmuar Ukrainën Muhamed Veliu tha:
“Ka por janë zëra të izoluar siç është ish gjenerali Leonid Ivashov, i cili ka publikuar një editorial ku thotë se “ne ish ushtaraket i bëjmë thirrje presidentit Putin te heqë dorë nga politikat kriminale të provokuarit luftë në të cilën Rusia do të mbetet e vetme kundra frontit të bashkuar perëndimor.”
Gjenerali Ivashov ishte njeriu që gjatë konfliktit në Kosovë bllokoi aeroportin e Prishtinës për mos të lejuar uljen e avionëve të Natos.
Sipas gjeneralit Ivashov, tentativat për t’i detyruar njerëzit ta duan Rusinë me forcë përmes ultimatumeve dhe kërcënimeve janë shumë të rrezikshme.
Të përdorurit e forcës ushtarake ndaj Ukrainës vendos në pikëpyetje ekzistencën e shtetit rus.
Top Channel